Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNFPA, në partneritet dhe mbështetur nga Qeveria Italiane nëpërmjet Zyrës Italiane të Bashkëpunimit në Tiranë, prezantuan sot një projekt të ri 3-vjeçar që synon të luftojë dhunën me bazë gjinore dhe praktikat e dëmshme në Shqipëri.
Për këtë qëllim, gjatë këtij aktiviteti mbajtur në MSHMS u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri duke shënuar një hap të rëndësishëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030, me fokus të veçantë në adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e grave dhe vajzave, sidomos atyre që jetojnë në zona të largëta.
Synimi kryesor i projektit është të forcojë qeverisjen e përgjegjshme gjinore përmes mekanizmave të koordinuar të referimit ndaj dhunës në nivel bashkiak, të forcojë barazinë, të promovojë fuqizimin e grave dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të reduktojë dhunën ndaj grave dhe vajzave, në 9 bashki, Tiranë, Vlorë, Korçës, Pogradec, Dibër, Klos, Kolonjë, Konispol dhe Selenicë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë fjalës së saj theksoi se ky projekt 3-vjeçar do të ndihmojë në forcimin dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës duke fuqizuar më tej kapacitet kundër dhunës në qeverisjen vendore.
“Aktualisht ofrohen 84 shërbime sociale në të gjithë vendin dhe 9 qendra të dedikuara për mbështetjen e viktimave të dhunës, por synimi ynë është të zgjerojmë dhe fuqizojmë më tej këtë rrjet ndihme”, u shpreh Koçiu.
Duke vënë në dukje rëndësinë e këtij parneriteti Koçiu theksoi se ky projekt është një hap konkret drejt zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030 dhe synon të krijojë një mjedis ku çdo grua dhe vajzë mund të jetojë pa frikë, me dinjitet dhe të drejta të barabarta.
“Dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë serioze, por angazhimi ynë për ta luftuar është më i fortë se kurrë”, tha ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shprehu besimin se puna e përbashkët, nën moton “nuk ka asnjë justifikim për dhunën”, do të prodhojë rezultate konkrete, të qëndrueshme dhe afatgjata në kohë.
Në eventin e prezantimit të projektit kundër dhunës me bazë gjinore ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, Ambasadorja dhe Kordinatore e Përhershme e OKB Shqipëri, Fiona McCluney, Stefania Vizzaccaro, Drejtoreshë, AICS Tirana dhe Justine Coulson, Drejtoreshë vendore e UNFPA Shqipëri.
Fiona McCluney, Kordinatore e Përhershme e OKBsë në Shqipëri tha se “kjo nismë synon të sigurojë që të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri të mund të jetojnë një jetë pa dhunë. Ne duhet të vazhdojmë, madje të zgjerojmë bisedën publike për këtë çështje, duke nxitur veprimin kolektiv kundër të gjitha formave të dhunës”.
Ambasadori italian, Marco Alberti u shpreh se: “ky projekt merr në vëmendje shëndetin dhe impaktin social. Ky projekt ka në qendër trajnimin dhe informimi për vajzat dhe gratë që janë viktima të dhunës si dhe për të gjithë aparatin institucional që është përkujdesës për ta. Përvecse kësaj ka në vëmendje edhe për njërëzit apo të afërmit, familjarët që janë afër viktimave të dhunës duke i orientuar si mund të veprojnë dhe ndihmojnë në raste të tilla”.
“UNFPA do të vazhdojë të punojë pa u lodhur me shumë partnerë dhe qeverinë për të përmbushur premtimin tonë kolektiv ndaj grave dhe vajzave, pavarësisht çdo gjëje. Ne presim me padurim të shohim rezultate pozitive së bashku me partnerët tanë dhe të shohim gjithnjë e më pak raste dhune jo vetëm në bashkitë e përzgjedhura, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Justine Coulson, Drejtoreshë vendore e UNFPA Shqipëri.
Me impementimin e këtij projekti, si dhe nëpërmjet shërbimeve të specializuara, linjave të këshillimit dhe mekanizmave të koordinuar të referimit tashmë funksionalë në 61 bashki, synohet të garantohet mbrojtje më e madhe, akses në drejtësi dhe fuqizim për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë.