Nga Sokrat Hoxha/

Në seancën e GJKKO-së, ditën e mërkurë, mediat folën për një debat të fortë mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe prokurorit të çështjes, Olsi Dado, mes të tjerave, edhe për një leje ndërtimi që Dado paska përfituar nga me firmën e Veliajt disa kohë më parë.

Po nga mediat mësova se, në atë seancë, Veliaj ka kërkuar largimin e prokurorit Dado nga dosja e tij, duke i thënë hapur se ishte në konflikt interesi për shkak se Dado i kishte kërkuar më shumë nga ç’i takonte nga leja e ndërtimit për një pallat në Rrugën e Bogdanëve.

Atë ditë, nga salla e gjyqit arriti të depërtonte edhe një detaj tjetër, se si prokurori Dado ishte zënë ngushtë nga Veliaj dhe më pas, duke e pranuar se në fakt kishte patur më herët kontakt telefonik me Veliajn për atë leje, ishte bërë edhe më agresiv në sallën e gjyqit. Këtë e konfirmoi dje vetë Veliaj në një reagim të tijin kur tha: “Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij”.

Por, për çfarë leje bëhet fjalë? Kam lexuar se “Olsi Dado është përfitues direkt i një leje ndërtimi në Tiranë për një objekt banimi 9 katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve, zonë ku sipas çmimit të referencës vlera e një pallati të ngjashëm shkon në mbi 1.5 milion euro sepse është një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.”

Po ashtu, “në lejen e ndërtimit e miratuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thuhet: “Godinë banimi dhe shërbim 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 kate, me dy kate parkim nëntokë në pronë të Terezina Adhami, Ols Dado, Zef Berisha, Eduard Berisha, Ana Shkreli, Franc Berisha, Frederik berisha, Karmelina Berisha, Mike Berisha, Terezina Berisha, Xhilda Berisha, Atnand Dema, Roland Roshi, Xhuljana Karruku”, me sipërfaqe trualli që zhvillohet 712 m2.”

Dhe tani vijmë te pyetja më e rëndësishme: A ka të drejtë Veliaj të kërkojë largimin e Olsi Dados nga çështja e tij, pikërisht pse Dado është në kushtet e konfliktit të interesit?

Unë mendoj se po. Dhe se kjo duhet bërë sa më parë, për të mirën e të gjithëve, sepse ky është rasti kur nevojitet një proces i drejtë dhe i panjollosur nga asnjë lapsus i qëllimshëm apo hije dyshimi për hakmarrje lejesh ndërtimi.

E nëse kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk e zëvendëson “ndërtuesin” Olsi Dado, bëhet bashkëfajtor në një konflikt të hapur interesi në hakmarrjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, për metrat katrorë që Dado donte, por që nuk i takonin.