Pavarësisht bllokadës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë kërkon të vazhdojë para me dy nismat “Paketa e Maleve” dhe drafti për TVSH-në në bujqësi. Këto dy projektligje u bllokuan nga KQZ me argumentin se mund të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sekretari i Kuvendit, Genc Gjonçaj ka dorëzuar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ankimin që kërkon prishjen e vendimit të kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit bllokoi dy vendimet më 11 shkurt, duke u shprehur se prekin politika të rëndësishme fiskale. Celibashi u shpreh se të dy këto projektligje ndikojnë në sektorin financiar dhe tregtar dhe shkelin Kodin Zgjedhor pasi krijojnë perceptimin se po përdorën për qëllime elektorale.

“Kufizimet, apo ndalimet e parashikuara në nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor mund të jenë penguese edhe kur vërehet që akti që kërkohet të shqyrtohet, apo miratohet nuk duket se do të përdoret për qëllime politike, apo elektorale. por është vetë ligjëvënsi ai që në këtë pikë e ka vlerësuar që për një kategori aktesh për periudhën 4 (katër) muaj përpara datës së zgjedhjeve ndalimi për miratimin e tyrë është i domosdoshëm. Përjashtimin e ka bërë vetëm për rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore” argumenton Celibashi vendimin e tij të marrë në datën 11 shkurt që i rekomandonte Kuvendit të mos përfshinte në shqyrtim në seancë plenare dy pr/ligjet”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.

Ndërsa, në shkresën e depozituar, Kuvendi jep disa 4 arsye pse këto nisma nuk bien në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe ato ofrojnë përfitime afatgjate, pra nuk favorizojnë një grup të caktuar.

“Së pari duam të sjellim në vëmendjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve faktin se propozimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, është një kërkesë e anëtarëve të komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe jo vetëm, që prej vitit 2019 kur u vendos skema aktuale mbajtja e TVSH-së në masën 20% mbi shitjet, ndërkohë që blerjet nga fermerët kryhen me 0%, për shkak se kjo skemë cenon parimin e drejtësisë fiskale dhe krijon një terren që favorizon informalitetin dhe humbjet ekonomike. Shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nga të gjitha krahët, ndër vite e kanë kërkuar këtë skeme, pra nuk jemi aspak në kushtet e një kërkese elektorale.

Mbajtja e TVSH-së në masën 20% mbi shitjet, ndërkohë që blerjet nga fermerët kryhen me 0%, cenon parimin e drejtësisë fiskale dhe krijon një terren që favorizon informalitetin dhe humbjet ekonomike. Diskriminimi i produkteve vendase në raport me ato të importuara, të cilat janë të ngarkuara me TVSH në masën 20%, krijon një avantazh të pamerituar për produktet e huaja dhe dëmton konkurrencën për grumbulluesit e produkteve vendase. Ky disbalancë bie në kundërshtim me frymën e legjislacionit që synon mbrojtjen e konkurrencës dhe tregut të brendshëm,”- thuhet në shkresë në lidhje me draftin për TVSH-në.

“Projektligji “Për Paketën e Maleve” ka për qëllim rregullimin e një çështjeje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe territorial të zonave malore. Ai synon të vendosë një kuadër ligjor për menaxhimin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme në këto zona, duke krijuar rregulla të qarta për posedimin dhe përdorimin e tyre. Projektligji nuk përfaqëson një akt që krijon përfitime të drejtpërdrejta financiare për qytetarët, por me një reformë administrative që synon të adresojë problematika të mbartura prej kohësh në zonat malore.

Edhe në këtë projektligj duhet evidentuar fakti se ideja e projektligjit paketa e maleve është lancuar prej shumë kohësh tashmë dhe është pjesë e tryezave dhe diskutimeve në mbi 35 shoqëri cilive. Projektligji është postuar në faqen e konsultimit publik më datë 01.10.2024 dhe data e mbylljes së konsultimit ishte data 29.10.2024. Sipas të dhënave në faqen e konsultimit, deri në mbyllje të afatit të konsultimit kishte një numër prej 765 shikimesh, ndaj impakti i saj edhe në rast se do të pranonim se ka është ezauruar shumë përpara afatit kufizues të nenin 91 pika 4 të kodit zgjedhor”, thuhet për “Paketën e Maleve”.

“Përfundimisht, Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë dhe projektligji “Për Paketën e Maleve”, nuk krijojnë favorizime për një grup specifik të popullsisë dhe nuk përfshin ulje taksash apo përfitime që mund të kenë ndikim electoral pra nuk cenojnë asnjë ndalim të përcaktuar në nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor, si dhe duke vlerësuar se pika 2 e vendimit nr. 83. datë 11.02.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, përbën një ndërhyrje të pajustifikuar në kompetencat e Kuvendit dhe dëmton parimin e ndarjes së pushteteve.”

Në lidhje me draftin për TVSH-në, deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që nisma të miratohet dhe u shpreh se do ta paguajë ai gjobën që do të vendoset nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për “Paketën e Maleve”, i jep të drejtën të gjithë “investitorëve strategjikë” që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë.

Ndërsa, skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët. Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%. Shoqata e Industrisë së Përpunuesve propozoi se heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme të zëvendësohej me një skemë të ngjashme me vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%.