Kryeministri Edi Rama thotë se nëse SPAK dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se institucionet e reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100 përqind e provuar.
Sipas Ramës, më 11 maj duhen dërguar në esfelt ata që duan të shkrijnë SPAK.
“Që të jemi të qartë fare: Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështimi ynë, i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, që i kemi hyrë këtij deti në këmbë me gatishmërinë që të marrim edhe të gjitha kostot morale e politike, bashkë me baltën e kënetës politiko-mediatike. Ky do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë, i cili do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur ne, Partia Socialiste, nisëm Reformën në Drejtësi, që nuk i hynë asnjëherë këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë. Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar – vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne – është detyra jonë të mos lejojmë që mungesa e standarteve dhe abuzimet individuale me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit.
Po ashtu, është detyra jonë, që t’i çojmë në esfelt më 11 maj ata që duan të shkrijnë SPAK-un dhe të hedhin në lumë foshnjën bashkë me ujin e pistë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim pa asnjë lëkundje SPAKUN dhe GJKKO, por do të përdorim dritën e diellit për të ndarë edhe me publikun të gjitha problematikat shqetësuese apo çdo rast kur dikush shpërdoron detyrën dhe besimin e popullit, duke na kthyer në kohët e Sigurimit të Shtetit. Kush ka bërë korrupsion duhet të dridhet nga drejtësia, kush bën punën e tij nuk duhet të trembet nga gabimet dhe askush s’duhet të guxojë ta trajtojë si fajtor, t’i bëjë presion, t’i marrë peng celularin e kështu me radhë. Të akuzosh është kollaj, të provosh është vështirë, prandaj edhe prokurorët e gjykatësit specialë paguhen sa askush në këtë republikë dhe institucionet e tyre mbështeten si asnjë nga kjo qeveri. SPAKU na ka treguar se i ka forcat që dinë ta hetojnë e ta ekspozojnë korrupsionin dhe ne do të jemi gjithnjë mbështetës pikërisht për këtë, por historia na ka treguar se rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet jo korrupsioni, po demokracia, shteti, ekonomia, nuk duhet neglizhuar kurrë. Dhe ne nuk do ta neglizhojmë. Kaq di unë. Të tjerat i di këneta politiko-mediatike dhe ju duhet vetëm të zgjidhni, o me drejtësinë dhe demokracinë o me kënetën dhe pa drejtësinë”, shkruan Rama.