Presidenti Donald Trump ka “paralajmëruar” sërish Kanadanë në luftën tregtare të nisur mes vendeve, duke përsëritur se vendi fqinj duhet të bëhet “shteti i 51-të i SHBA-ve”. Udhëheqësi amerikan tha këtë fundjavë se do të vendosë tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika.

Të dy vendet u kundërpërgjigjën me tarifa hakmarrëse, me udhëheqësit e tyre përkatës që njoftuan masat të shtunën mbrëma. Duke folur në platformën e tij “Truth Social” të dielën pasdite, Trump tha: “Ne paguajmë qindra miliarda dollarë për të SUBVENCIONUAR Kanadanë. Pse? Nuk ka asnjë arsye.

“Ne nuk kemi nevojë për asgjë që ata kanë. Ne kemi energji të pakufizuar”, shkroi ai. Ai shtoi se pa “subvencionimin masiv” Kanadaja “do të pushojë së ekzistuari. “Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE PA TARIFA” theksoi Trump.

Administrata Trump kishte thënë se tarifat synonin të ndalonin përhapjen dhe prodhimin e fentanilit opioid, si dhe të bënin presion ndaj fqinjëve të Amerikës për të kufizuar emigracionin e paligjshëm në SHBA.