Gjykata Kushtetuese ka rrezuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit.
Padia e 1/5 së deputetëve të opozitës është rrëzuar sot me shumicë votash nga Gjykata Kushtetuese.
Njoftimi:
Në datën 21 shkurt 2025 Gjykata Kushtetuese përfundoi shqyrtimin e çështjes me kërkues jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të Kuvendit me objekt:
Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Shfuqizimi i VKM-së nr. 861, datë 29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, të ndryshuar me tre VKM të tjera ”.
Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.
Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;
nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);
së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;
nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;
Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BE-së, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;
parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,
nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.