Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal tek agroturizmi, duke theksuar se mbetet prioritet i qeverisë.
Rama tha se Paketa e Maleve, e miratuar nga qeveria më 9 janar, do t’u mundësojë të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale, në një truall që nuk ka titullin përfundimtar të pronësisë, të kenë garanci të plotë për investimin e tyre.
“Agroturizmi është një tjetër prioritet dhe do t’ju përcjellim dhe ju menjëherë sapo të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ka kaluar edhe gjithë proceset e tjera edhe në qeveri, Paketën e Maleve. Paketa e Maleve, krijon një lehtësi të re në raport me kolateralet duke i mundësuar të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale, në zonat kodrinore dhe malore dhe që kanë probleme me titujt e pronësisë që të kenë garanci të plotë për investimin e tyre, duke kaluar për mes një procesi shumë të lehtë dhe lehtësuar të njohjes të së drejtës së investimit të tokës, dhe pastaj të fitimit të titullit të pronësisë përmes investimit”, u shpreh Rama.
“Kjo na ka munduar në të shkuarën dhe tani është aty, e shkruar gati për t’u miratuar, çka e bën shumë më të lehtë edhe marrëdhënien mes një individi, subjekti dhe një banke për të investuar një agroturizëm në një truall që nuk ka titullin përfundimtar të pronësisë”, tha Rama.
“Është një marrëdhënie ku futet shteti dhe është një marrëdhënie të cilën e garanton shtetit duke u bazuar tek dokumenti i dhënë nga pushteti vendor për vërtetësinë e titullit të trashëgimisë, nëse mund ta them kështu, që bën që marrëdhënia mes shtetit dhe individit të jetë një marrëdhënie kontraktuale e bazuar tek ajo dëshmi, dhe njëkohësisht që me premisën e bërjes së investimit titulli i pronësisë i jepet menjëherë investitorit”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Rama nënvizoi se “në momentin e bërjes së investimit titulli i jepet investitorit në të gjitha rastet kur me gjasë mund të ketë ankesa apo pretendime për atë truall, barra për të trajtuar këtë pretendim i mbetet shtetit, investimi është 100% i sigurt dhe i garantuar”.
“Unë kam shumë besim se Paketa e Maleve do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin, sepse gjithmonë e më shumë shohim se ka interesim nga ana e shqiptarëve që janë jashtë për të investuar në zonat e prejardhjes së tyre. Paketa ka atraktivitet nga pikëpamja fiskale, pasi i jep një garanci të plotë për lehtësimin 100% nga barra fiskale për një periudhë 10-vjeçare”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se “besojmë do të krijojë njëfarë konkurrueshmërie të shpejtë, pasi do të vlejë për 500 të parët, pra ata që do të aplikojnë të parët do të shërbehen të parët, me këtë kuadër, pastaj të tjerët do t’i nënshtrohen të njëjtave rregullave si të gjithë. Kemi shfrytëzuar të njëjtin mekanizëm si hotelet me 5 yje që na ka dhënë një sukses të madh. S’kemi pasur asnjë arsye pse mos ta bëjmë, pavarësisht se këtu bëhet fjalë për investime më modeste për nga masa e financimit, por shumë të rëndësishme sidomos për atë pjesë të sapobashkëngjitur në industrinë tonë të turizmit malor”.