Ankthi dhe frika mbizotëron në Santorini pas lëkundjeve të njëpasnjëshme sizmike që kanë ndodhur orët e fundit, ku banorët kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë shtëpive të tyre.

Gjithashtu autoritetet greke janë vënë në alarm pas aktivitetit intensiv sizmik të ditëve të fundit në zonën detare në ishujt Cyclades, midis Santorinit dhe Amorgos.

Sipas mediave greke janë regjistruar mbi 140 tërmete, 14 prej tyre me magnitudë nga 4 deri në 4.7 shkalla Rihter, me thellësi nga 4 deri në 10 km.

Autoritetet këshilluan banorët e Santorinit, një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë, të shmangin dy porte të vogla, të mos grumbullohen masivisht në hapësirat e brendshme, ndërsa shkollat do të jenë të mbyllura gjatë ditës së hënë.

Shumë qytetarë dhe turistë po lënë vendin, duke prerë bileta kthimi me urgjencë.

Si masë paraprake në ishullin e Santorinit ka shkuar një ekip i Njësisë Speciale të Reagimit ndaj Fatkeqësive natyrore me një qen shpëtimi, 2 ekipe të Njësisë së Parë të Operacioneve Speciale Pyjore si dhe një ekip i operatorëve të dronëve, të cilët janë vendosur në çadrat e qendrës sportive të ishullit. Bashkia ka njoftuar gjithashtu edhe pikat e grumbullimit në të cilat njerëzit do të vijnë në rast emergjence.