I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka vijuar edhe ditën e sotme dëshminë e tij në GJKKO, në lidhje me organizatat kriminale, vrasjet me pagesë, atentatet dhe sagën e krimeve. Në seancë Nuredin Dumani foli për herë të parë për zbërthimin e ‘MATRIX’, një tjetër aplikacion i koduar i rrjeteve kriminale. Dumani shprehet se në aplikacion i është dërguar një foto e një dosje hetimore, ku zbulohet lidhja e Xhuliano Hoxhës me grupin Çapja. I penduari i drejtësisë deklaron se i ka dhënë SPAK, pin-et dhe pseudonimet e tij dhe priten të zbardhen bisedat.
“Suel Çela me çoi në aplikacionin “MATRIX” me foto një procesverbal të një dosjeje hetimore, ku Xhulian Hoxha dilte lidhje e grupit Çapja. Do ta shikoni kur të hapet MATRIX. Kam pasur SKY ECC dhe Matrix, dolën pastaj edhe “BQ”, un i kam dhënë Prokurorisë gjithë pinet dhe pseudonimet e mia”, -tha ai.
Aplikacioni është përmendur edhe më herët nga Dumani në Prokurorinë e Posaçme në vitin 2022. Gjatë dëshmisë asakohe, ai tha se përmes këtij aplikacioni, komunikonte me kriminelët e tjerë ku dhe merrte porosi për të kryer vrasje. Dumani vuri në dijeni SPAK se u porosit të ekzekutoj pronarin e shkollës “Wilson” në Tiranë.
“Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej ‘nipçja’ dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix””,-ka thënë Dumani në dëshminë e tij.
MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Kështu nisi dhe hetimi! Shumë shpejt u zbulua se infrastruktura e kësaj platforme ishte më komplekse se platformat që tashmë janë të njohura për publikun, Sky ECC dhe EncroChat. Në këtë rast, themeluesit e aplikacionit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt për t’u përdorur nga kriminelët.