Policia e Shtetit njoftoi sot se ka ndërmarrë një sërë masash për lirimin e hapësirave të zëna në kryeqytet.

Këto masa synojnë lehtësimin e lëvizjes dhe rrjedhshmërinë e trafikut për mjetet dhe qytetarët.

Sipas Policisë, masat do ndihmojnë në lirimin e hapësirave të zëna nga parkimet e gabuara, korsive të emergjencës dhe vendkalimevë për këmbësorët.

“Me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë kanë ndërmarrë një sërë masash për lirimin e hapësirave të zëna nga parkimet e gabuara, të cilat pengojnë lëvizjen dhe rrjedhshmërinë e trafikut.

Në kuadër të këtyre masave, automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara për transportin publik (autobusë, taksi), në korsitë e emergjencës, në vendkalimet e këmbësorëve apo në zona ku krijohen bllokime në qarkullim, po spostohen dhe zhvendosen në pikën e ruajtjes pranë Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të parkojnë duke respektuar sinjalistikën rrugore, për të shmangur penalitetet administrative dhe masat e tjera ligjore që do të zbatohen ndaj shkelësve.

Ftojmë qytetarët të raportojnë shkeljet që pengojnë lëvizjen dhe sigurinë, për rrugë më të sigurta dhe më të rregullta”, njofton policia.