Një gabim që s’duhet të përsëritët më nga askush që punon në shtetin shqiptar, e quajti Rama protestën e mbështetësve të Veliajt para GJKKO, më 12 shkurt kur u dha masa e sigurisë arrest me burg. Komentet kreu i qeverisë i bëri nga një takim me rreth 6 mijë punonjës të Bashkisë së drejtorive në varësi në sheshin ‘Skenderbej’.

“E kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush, por edhe mes shumë të tjerësh, njerëz të dëshpëruar. Disa nga ju shkuan edhe tek dera e GJKKO për të protestuar ditën që kryetari u la në burg, pa gjyq, nuk dua t’i gjykoj keq përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më, as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar në cdo institucion”, tha Rama.

Rreth 6 mijë punonjës marrin pjesë në takim bashkë me drejtoritë në varësi të bashkisë. Ndërsa në orën 17:30 do të zhvillojë një takim me këshilltarët e majtë në bashkinë e Tiranës.

Në takim u shfaq një dokumentar që dëshmon transformimin e Tiranës ndër vite, me pamje si ka qenë që prej ’90 deri tek ndryshimi që ka pësuar sot.

Pas arrestimit në zyrë të kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, më 10 shkurt 2025, kryeministri Rama tha se do bashkërendojë menaxhimin e bashkisë krah 5 nënkryetarëve të bashkisë ndërsa Anuela Ristanit iu delegua firma e kryebashkiakut Veliaj.