Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, iu përgjigj edhe kritikave se shumë ministra të qeverisë kanë përfunduar në burg. Rama nuk kurseu ironinë teksa tha se nuk kanë numëruar mirë dhe se i ka bërë Lulzim Basha ‘analfabetë aritmetik’.

“Nuk e di kur e pyeta rektorin se për çfarë shume bëhet fjalë, më tha nën 300 milionë të vjetra. Më pas dhe më shumë, rektori thotë se nuk e di se nga kanë dalë më shumë, por kaq janë projektet për të cilat dy vjet ka lënë telefonin në SPAK. Nuk i kthejnë telefonin, nuk është person fare në hetim. I kanë dhënë dhe letrën për të kandiduar për rektor. Mund të jetë edhe ai që mund të dalë fajtor, por nuk mund të nisemi nga ideja se çdo person është i fajshëm dhe i takon autoritetet të tregojë pafajësinë e vet. Sepse Evropa që ne duam ka një parim tjetër: Çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të tregojnë fajësinë e tij. Kështu që me shumë keqardhje për z Afrim, dua t’i them se kjo parti nuk merr rolin e gjykatës, prokurorisë, s’ka për ta marrë kurrë. Sa të jetë kjo parti, prokurorët dhe gjykatësit mund të bëjnë punën e tyre të pavarur, por ama nuk jemi shurdh memec.

I kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS sallës së operacioneve kundër korrupsionit. Atyre që thonë se u futën të gjithë ministrat në burg, iu them numëroni mirë se iu ka bërë Luli analfabet aritmetik. 12 vjet në qeveri, 60 e kusur ministra, dy janë nga mandati i parë të dënuar, një është akoma në paraburgim pa gjyq por është i fajshëm apo jo e vendos gjykata dhe një tjetër është në arrati. Gjithçka që ndodh është vepër e kësaj force këtu. Nëse sot ka një luftë frontale për të forcuar drejtësinë, për ta bërë profesionale dhe evropiane, përveçse të pavarur dhe nëse sot erdhi dita të na tregojnë ne se çfarë është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jonë dhe e askujt tjetër. Prandaj me 11 maj duam një mandat shumë më të fortë sepse duam që këtë dritaren e hapur në këto rrethana historike për Evropën dhe ne ta shfrytëzojmë dhe në 2027 mbyllim negociatat dhe brenda kësaj dekade të bëhemi anëtarë të BE edhe për shkak se kemi krijuar një drejtësi të pavarur dhe evropiane.”, u shpreh Rama.