Nga Ardit Rada/

Ols Dado, prokurori që kërkoi arrestimin pa gjyq të kryebashkiakut Erion Veliaj, drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, zbuloi në sallën e gjyqit dy ditë më parë se kishte bërë një “lapsus”, kur në faqen e parë të dosjes hetimore të hartuar prej tij, Veliaj figuronte “i dënuar”.

Dje, në një reagim të sforcuar, SPAK ia hodhi fajin Drejtorisë së Burgjeve dhe sistemit të saj për gjenerimin e statusit “i dënuar” për Veliajn. E që më pas mori edhe përgënjeshtrimin nga Drejtoria e Burgjeve, e cila tha shkurtimisht se e kishte njoftuar prokurorin Dado që dëshmia e penalitetit e Veliajt ishte e pastër.

Por përtej hidhje-pritjeve mes institucioneve, duhet thënë që në krye të herës se ky “lapsus” ishte një gabim i rëndë, i cili ka kompromentuar në mënyrë serioze të gjithë dosjen ndaj Veliajt, të cilit tani i lind e drejta të pyesë nëse i gjithë hetimi i tij është mbushur me ‘lapsuse’ të tilla.

Megjithatë, ka edhe një arsye të thjeshtë pse dyshimi përfundimtar bie pikërisht mbi aftësitë profesionale të prokurorit në fjalë:

A duhej që ky prokuror, me të parë se nga Drejtoria e Burgjeve statusi i Veliajt kishte ardhur ‘i dënuar’, të kryente menjëherë verifikimet e nevojshme për ta qartësuar këtë fakt? Patjetër që po!

Pse? Sepse si ishte e mundur që Veliaj rezultonte “i dënuar” në regjistër, kur në fakt prej vitit 2015 ushtronte detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe në gjithë këto vite ka plotësuar formularin e dekriminalizimit pa e deklaruar këtë fakt?

Nëse Veliaj do të kishte qenë i dënuar, gjë kjo që nuk e ka deklaruar në formular, atëherë prokurori Dado duhet të shtonte menjëherë edhe akuzën e falsifikimit të formularit ndaj Veliajt.

Por, pse nuk e verifikoi këtë?

Neglizhencë e qëllimshme apo mospërputhje logjike në veprimet e akuzës, që rrisin dyshimet mbi objektivitetin e prokurorit në këtë çështje.

Apo se në fakt, siç thotë Veliaj, prokurori Dado e kishte ndarë mendjen që ta shpallte fajtor ende pa nisur gjyqi duke e reflektuar këtë me lapsus froidjane?!

Fatkeqësisht për seriozitetin e SPAK, procesi hetimor kundër Veliajt është i njollosur, ende pa nisur. Dhe rasti i mësipërm shton edhe një pikëpyetje tjetër mbi profesionalizmin e prokurorit të çështjes dhe jo vetëm.