Vendimi i administratës Trump për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar pritet të ketë ndikim të madh në Kosovë, si vendi Ballkanik që përfitonte më shumë fonde nga USAID. Media gjermane “Die Welt”, e cila ka publikuar një artikull lidhur me çështjen thekson se punonjësit e USAID, kanë vijuar punën në Prishtinë, por me një qasje hermetike duke mos u prononcuar për mediat.
“Ende nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm të situatës në Prishtinë. Në kryeqytetin e Kosovës, punonjësit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë vazhduar punën në zyrat e tyre, të cilat i ndajnë me Këshillin e Evropës, drejtpërdrejt përballë selisë së qeverisë së Albin Kurtit. Ka heshtje: askush nuk lejohet të flasë me shtypin, të paktën jo zyrtarisht – një ndalim i rreptë i informacionit është vendosur nga administrata Trump”, shkruan “Die Welt”.
Siç thuhet, që nga pavarësia e Kosovës, USAID ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e vendit, përmes burimeve dhe projekteve financiare. Vetëm pak muaj më parë, USAID-i akordoi një buxhet prej rreth 130 milionë euro në vit në Kosovë, që do të përdorej për një sërë projektesh, nga forcimi i gjyqësorit tek transparenca dhe pjesëmarrja qytetare e deri tek përmirësimi i sektorit të energjisë. Në nëntor të 2023, USAID dhe qeveria greke patën nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor – nga i cili duhet të përfitojnë vende të tilla si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Paratë, ndoshta nuk do të rrjedhin më në të ardhmen dhe kjo gjë po shkakton emocione në Prishtinë. Punonjësit e agjencisë thonë se kartat e tyre të identitetit me të cilat hyjnë në ndërtesë nuk funksionojnë më, e po ashtu edhe telefonët. Më vonë ata do të kthehen në zyrat e tyre, por pyetja është: për sa kohë”?, vijon më tej “Die Welt”.
Sa i përket të ardhmes së USAID-it në Kosovë, ndihma emergjente humanitare mbetet e paprekur tani për tani, por ndalimi i programeve të tjera mund të rrezikojë stabilitetin e vendit. Frika është se nëse ndihma nga Amerika ndalohet, vakuumi mund të mbushet nga aktorë të tjerë gjeopolitikë. Media citon ish-ambasadoren e Kosovës në Kombet e Bashkuara, Vlora Çitakun të thotë se SHBA mund të bëjë çfarë të dojë me paratë e taksapaguesve të vet dhe se ky vendim i takon vetëm këtij shteti.