Dy të rinj janë arrestuar sot në Tiranë, pasi po qarkullonin të armatosur. Policia bën me dije se ra në pranga një 25-vjeçar, i cili po drejtonte mjetin dhe një 21-vjeçar, i cili ishte pasagjer. Gjatë kontrollit Policia gjeti në makinën e tyre 1 armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me 1 krehër me municion luftarak. 25-vjeçari rezulton se është dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, atë të armëmbajtjes pa leje, ndërsa 21-vjeçari akuzohet për “moskallëzim krimi”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për dy shtetas që qarkullonin me armë zjarri në automjet, në zonën e Vorës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ëeekend”.
Gjatë operacionit, në Laknas, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. K. dhe pasagjer shtetasin O. M. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me 1 krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. K., 25 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale;
O. M., 21 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.