I dërguari i posaçëm i Donald Trump, Richard Grenell ka bërë një deklaratë të fortë kundër Albin Kurtit, 5 ditë para zgjedhjeve në Kosovë.
Ndër të tjera ai shprehet se qeveria e Kurtit nuk ka qenë dhe nuk është e besueshme as për administratën e Joe Biden dhe as për atë të Donald Trump.
Sipas tij retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është e rreme.
Grenell shprehet se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë, dhe kjo për shkak të Kurtit.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.
Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka deklaruar Grenell.