Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se, ky është një proces që ka nisur disa kohë më parë dhe sot kurorëzohet në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve, të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.

Rama theksoi se, “ky është një hop i madh cilësor, shumë premtues për sektorin dhe për vendin, duke pasur parasysh dy gjëra.

Së pari që ne kemi vendosur një objektiv tejet ambicioz që në Shqipërinë 2030 eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë euro.

I kemi katërfishuar sepse sot jemi mbi 500 milionë euro eksporte, ndërkohë kishim pak më shumë sesa 100 milionë euro kur kemi marrë detyrën dhe arritja e objektivit prej 1 miliardë eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, një fuqi të shtuar të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat”.

Por nga ana tjetër, shtoi Rama, është e domosdoshme edhe për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian, ku theksoi ai, “sfida e konkurrencës dhe sfida e përshtatjes me rregulla dhe me standarde edhe më të larta është një sfidë shumë e madhe.