Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën sot me një ftesë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar për zgjedhjet më 11 maj.

Rama ka publikuar një pjesë nga fjalimi i tij në Kuvendin Rinor Kombëtar, ku ndër të tjera kërkon që diaspora të votojë PS, pasi siç shprehet ai çdo vote e çuar tek të tjerët është një gur i hedhur në ujë.

Rama e quajti opozitën kënetë bretkosash që në krye ka një buf kënete.

“Kush na ndjek nga jashtë vendit duhet ta mbajë parasysh se afati i fundit për tu regjistruar është data 4 mars. Prandaj mos e lini për ditën e fundit, regjistrohuni për të votuar në 11 maj dhe mos e vini kurrë në dyshim votën tuaj.

Vota e çuar tek cilido tjetër është  gur i hedhur në ujë në kënetën e një opozitë bretkosash që ka në krye në buf kënete. Vota e sjellë tek ne është  një gur i vendosur në muret e reja të shtetit shqiptar, të cilat po shtrihen dhe forcohen vit pas viti për t’iu bashkuar edhe për pak vite kalasë së Evropës së Bashkuar, ku më në fund do të valëvitet  flamuri më i bukur në botë në Europë”, tha Rama.