Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të jetë vendi organizator i Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, një mundësi e shkëlqyer për të promovuar përparimet e vendit në drejtim të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, tha ai në një postim në rrjete sociale. Rama theksoi se procesi i përzgjedhjes ka qenë shumë konkurrues dhe ka përfshirë kandidatë të fuqishëm nga kontinente të ndryshme.
Kryeministri lexoi dhe letrën e dërguar nga presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, ku u theksua se Shqipëria ka arritur të fitojë besimin e komunitetit ndërkombëtar për të organizuar këtë ngjarje prestigjioze në Tiranë, e cila do të njohë përparimet e saj në krijimin e institucioneve të drejta dhe funksionimin e ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin e qytetarëve.

Rama postoi videon teksa është rrugës drejt Spanjës ku do të mbahet ky Kongres këtë vit dhe gjithashtu përmendi se gjatë kongresit do të jepet edhe Çmimi i Paqes dhe Lirisë Botërore, që konsiderohet një çmim i ngjashëm me atë Nobel për Ligjin, dhe që është dhënë më parë për figura si Ëinston Churchill, Nelson Mandela dhe mbreti Felipe VI i Spanjës.

“Procesi i përzgjedhjes ka qenë i ngushtë dhe konkurrues. Shqipëria ka marrë pjesë me kandidatë të fortë dhe historikisht demokratik nga kontinente të ndryshme, kështu shkruhet në letrën e presidentit të shoqatës botërore të juristëve Javier Cremades, profesor i së drejtës kushtetues dhe avokat me prestigj të madh.

Duke zgjedhur Shqipërinë si vendin pritës të kongresit botëror të ligjit për vitin 2027, komuniteti ndërkombëtar i ligjit dëshiron të njohë demokracinë e saj të re dhe institucionet e themeluara mbi funksionimin e ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin për qytetarët e saj, vazhdon ai. Kongresi do jetë një mundësi e shkëlqyer për vendin tuaj, për ti paraqitur botës përparimet e mëdha drejt një demokracie të fortë, respektin nga ligjit ndërkombëtar dhe respektin ndaj sundimit të ligjit.

Për pak nisemi në Madrid për njoftimin publik të përzgjedhjes së kandidaturës së Shqipërisë për të mirëpritur kongresin botëror të ligjit. Gjatë zhvillimi të kongresit një herë në dy vite prezantohet dhe një çmim, i paqes dhe lirisë botërore që konsiderohet nga shumë si çmimi Nobel në Ligj. Ky çmim është marrë prej Uinston Churchill, Nelson Mandela, mbreti Felipe VI i Spanjës i cili na ka ftuar edhe në audiencë të veçantë.

Pra Shqipëria 2027 do jetë vendi i Samitit të NATO-së, i europianit të futbollit për të rinjtë dhe edhe i kongresit botëror të ligjit. Ç’të them? Kush i imagjinonte këto deri disa vite më parë le të ngrejë dorën? Por lum si ne thuaj që kemi këto kuak kuak kuak se do na kishin marrë më sysh kush e di se sa herë. Kongresi është edhe një trofe i Shqipërisë në formën e konsideratës së lartë që ka krijuar vendi ynë falë reformës së drejtësisë”, tha Rama.