Modestia nuk ka qenë asnjëherë pjesë e karakterit të tij. Nuk ka qenë kur ishte ende i ri dhe kurrsesi nuk pretendohet që ta ketë edhe në ditën e 40 vjetorit të tij. Ndoshta kjo ka qenë një nga pikat e tij më të forta, që e kanë ndihmuar në karrierën e tij fantastike.
Kristiano Ronaldo feston ditëlindjen e tij, ndërsa mendon se edhe në të ardhmen do të fryjë qirijtë si futbollist.
“Jam shënuesi më i mirë, më i kompletuari. Nëse jam më I miri në histori? Mendoj që po. Nuk kam parë dikë tjetër më të zotin se unë. Zgjohem akoma me dëshirën për t’u stërvitur dhe luajtur. Ndoshta më pak se më parë, por është pasioni im dhe më pëlqen ajo që bëj. Mund ta braktis tani futbollin dhe nuk do të kisha asnjë peng. Por, mund të vazhdoj të bëj diferencën”.
Si gjithmonë, edhe këto deklarata në intervistën e fundit për televizionin portugez “La Sexta” nuk kanë asnjë lidhje me përulësinë. Kjo ka qenë një nga pikat më të forta të kritikuesëve të tij, por CR7 as që I është bërë vonë dhe ka vijuar rrugën e tij, duke vendosur rekorde pas rekordesh.
Tani, në fundin e karrierës së tij, sulmuesi portugez është në ndjekje të një tjetër arritje historike, atë për të kapur kuotën e 1 mijë golave. Ai numëron deri tani 924 realizime, por nëse vazhdon me këtë ritëm edhe ky rekord shumë shpejt do të jetë i tiji.