Mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla, ka dhënë një intervistë për gazetën “Marca”, ku ka treguar të gjithë “historinë” e mbërritjes së tij tek Espanjoli.

Mbrojtësi iu bashkua Espanjolit verën e kaluar dhe është bërë një shtyllë për Manolo Gonzalez.

Mbrojtësi, i huazuar nga Roma deri në fund të sezonit, ka arritur vazhdimësinë e nevojshme në klubin “periquito” për të rifituar formën e tij më të mirë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në vitin 2023 dhe që e mbajti jashtë fushës për gati një vit.

Ishte një dëmtim që e ndryshoi atë si futbollist. Ai pësoi një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e djathtë. Por ai dëmtim ngjan me një ëndërr të keqe e lënë pas. Sepse mbrojtësi kuqezi po paraqitet sërish në një nivel të lartë te Espanjoli.

Ju mbërritët tek Espanjoli në verë (2024) dhe u përshtatët shumë shpejt me skuadrën bardheblu. Cili ishte çelësi?

Pa dyshim ishte trajneri Manolo (Gonzalez) dhe shokët e mi që më ndihmuan shumë në fillim me gjuhën dhe më ndihmuan të përshtatesha shpejt. Gjithsesi, gjithçka ishte shumë e natyrshme.

Në vitin 2023 keni pasur një dëmtim të rëndë në gju. A ju ka ndryshuar ky dëmtim si futbollist?

Po, çdo dëmtim të ndryshon pak. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë. Tani jam më i pjekur dhe duhet të punoj edhe më shumë. Ishte diçka që më shtyu të përmirësohem. Në fillim ishte e vështirë, sepse të gjithë lojtarëve u pëlqen të jenë në fushë dhe muajin e parë nuk munda të bëja absolutisht asgjë. Mendërisht ishte shumë e ndërlikuar.

A kishit nevojë për ndihmë psikologjike?

Po, por unë mendoj se është normale. Të gjithë duhet të punojnë në aspektin psikologjik, sidomos ne, për të përballuar të gjithë presionin e jashtëm që kemi.

Tani e keni lënë pas dëmtimin dhe jeni një lojtar shumë i rëndësishëm për Espanjolin. A ju duhej një sezon si ky për t’u rikthyer në formë?

Po, prandaj doja të vija tek Espanjoli. Më duhej një fushatë ku të mund të isha i qëndrueshëm, të ndihesha sërish futbollist. Kjo është ajo që doja.

Keni lindur në Itali, por luani për Shqipërinë…

Babait tim iu desh të largohej nga Shqipëria 25 apo 30 vjet më parë për të gjetur një jetë më të mirë. Unë kam lindur në Itali, në Verona. Por e gjithë familja ime është shqiptare dhe prandaj luaj për kombëtaren shqiptare dhe është gjithmonë kënaqësi.

Pikërisht, në ekipin shqiptar janë dy ekspertë, Pablo Zabaleta dhe Keidi Bare. A ju folën për Espanjolin kur nënshkruat?

Po, fëmijët e Pablo Zabaletës janë tifozë të thekur të Espanjolit dhe më thotë gjithmonë se një prej tyre i thotë tjetrit se ka një qendërmbrojtës që i pëlqen shumë, që është Kumbulla (qesh). E di që ai luajti shumë sezone shumë të mira këtu. Keidi Bare më ka folur gjithashtu shumë mirë për ekipin.

Ju u drejtuat nga Murinjo, një ish-trajner i Realit të Madridit, çfarë mësuat prej tij?

Ai është një trajner që ju flet drejtpërdrejt, ballë për ballë dhe nuk ka frikë t’ju tregojë atë që mendon. Nëse e dëgjon, piqesh shumë dhe përmirësohesh.

Espanjoli është në një situatë të vështirë, do të duhet të vuajë deri në frymën e fundit?

Mendoj se po, sepse La Liga është shumë e vështirë dhe ka shumë skuadra që luftojnë për të mos rënë. Do të duhet të luftojmë deri në ndeshjen e fundit.

Në parim, kur të përfundojë kontrata juaj, ju duhet të ktheheni te Roma…

Nuk kam menduar për këtë. Tani ajo që duhet të bëj është të përfitoj duke luajtur çdo javë, duke u stërvitur fort… është e vërtetë që ndihem shumë rehat, shumë i lumtur te Espanjoli. Manolo Gonzalez është një trajner shumë i mirë dhe një person i madh. Kur duhet të të thotë gjëra të mira, të thotë, e kur jo, e bën gjithashtu. Dhe mua më pëlqen kjo. Ai është gjithmonë i sinqertë. Ai na motivon shumë, është një trajner kërkues që pret shumë nga të gjithë lojtarët.