Mbi 380 tërmete janë regjistruar në zonën detare midis Thira dhe Amorgos që nga 24 janari, duke rritur shqetësimet për një shpërthim të mundshëm vullkanik në Santorini. Ekspertët theksojnë se, megjithëse disa shenja paralajmëruese janë vënë re, një shpërthim nuk është i përjashtuar.
Profesori turk i Gjeofizikës, Ovgun Ahmet Ercan, tha se tre nga katër indikatorët kryesorë të një shpërthimi vullkanik janë regjistruar në Santorini: tërmete të cekëta dhe stuhi mikrotërmetesh, emetime gazi dhe zhurma nga toka. Sidoqoftë, ai thekson se, edhe me këto tregues, shpërthimi mund të mos ndodhë, ose mund të vonohet për muaj apo vite.
Ndërkohë, Panagiotis Karydis, profesor i ndërtimeve rezistente ndaj tërmeteve, theksoi për ERT se Greqia është një vend sizmik dhe banorët duhet të mësohen me tërmetet. Sipas tij, aktiviteti i fundit sizmik është i rëndësishëm, por nuk duhet të krijojë panik të menjëhershëm.
Sipas V. Karastathis, drejtor i Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, pas 24 janarit është regjistruar një rritje e madhe e goditjeve sizmike, me mbi 380 tërmete deri më tani, nga të cilat 85 kanë qenë mbi magnitudën 3. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 10 tërmete mbi magnitudën 4, duke arritur deri në 4.6 ballë.
Instituti Gjeodinamik i Greqisë po monitoron me kujdes situatën, ndërsa një sizmograf pritet të vendoset të hënën në zonën e Anydros të Amorgos për të analizuar më tej aktivitetin intensiv sizmik.
Për shkak të situatës, Departamenti i Zjarrfikësve dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri. Në ishull janë dërguar trupa të njësive speciale EMAK, një helikopter Bell dhe dronë.
Autoritetet vendore kanë njoftuar gjithashtu pronarët e varkave dhe të bizneseve turistike që të qëndrojnë të informuar mbi zhvillimet e mëtejshme.