Santiago Gimenez, sulmuesi i ri i Milanit, ka rrëfyer historinë e tij në një intervistë të gjatë për “Milan TV”. Kjo është përgjigja e tij mbi rëndësinë e shënimit të golave dhe mënyrën se si i përulet Zotit për shkak të besimit të tij të thellë fetar:

Për golin: “Ka një kuptim që shkon përtej futbollit. Ndoshta dikush mund të thotë se unë këmbëngul shumë te besimi, por të falënderosh Zotin në gjunjë, përpara gjithë stadiumit dhe miliona kamerave, është mënyra më e mirë për t’i dhënë lavdi dhe për të qenë shembull se me Zotin gjithçka është e mundur. Për një sulmues, të shënojë është gjithçka. Sulmuesit jetojnë për golin, mënyra e vetme për t’ua kthyer lumturinë tifozëve, për t’ua shpërblyer për gëzimin që të japin, është të shënosh shumë gola dhe t’i bësh të festojnë sa më shpesh”.

Për besimin në Zot: “Për mua është gjithçka. Në një moment, kur nuk gjeja rrugën time, u takova me Jezu Krishtin dhe Ai më tregoi rrugën e duhur. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Besoj se me Zotin gjithçka është e mundur. E fillova këtë rrugëtim kur kisha një trombozë në krah dhe mjekët më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. Pikërisht atëherë e njoha Krishtin dhe Ai bëri një mrekulli, duke më lejuar të rikthehem në fushë”.

Për numrin 7: “Numri 29 është ai me të cilin debutova dhe e mbajta edhe te Feyenoordi. Ai numër është i veçantë për mua, ashtu si edhe numri 11 që mbaj në kombëtare. Te Milani, numri 7 ishte i lirë dhe u përpoqa t’i jepja një kuptim. Edhe në Bibël, ai është numri i përsosur”.

Për këshillën më të mirë që ka marrë: “Mbaj mend kur më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. U mbylla në dhomën time dhe e pyeta babain pse po më ndodhte kjo. Ai më tha se nuk e dinte, se duhej ta pyesja Zotin. Dhe me atë këshillë, jeta ime ndryshoi plotësisht. Aty fillova rrugëtimin tim me Zotin dhe me besimin”.

Sulmuesi meksikan e ka bërë të qartë se Milani ishte gjithmonë një nga klubet e tij të preferuara: “Që i vogël e kam ndjekur Milanin, ishte një nga skuadrat që më magjepste. Shihja Kakà, Beckham, Ronaldinho, Ronaldo, Pirlo, Gattuso…, atë brez lojtarësh që pushtuan botën e futbollit. Kur erdhi thirrja e Milanit, thashë me vete: Ua, kjo është mundësia ime dhe nuk dua ta humbas”.

Meksikani tregoi se një takim me Kakà e bëri të kuptonte që destinacioni i tij i vërtetë ishte Milani: “Kakà ka qenë gjithmonë një model për mua, jo vetëm në futboll, por edhe për besimin që ndajmë. Ai më ka motivuar gjithmonë, më ka folur për fenë dhe më ka frymëzuar. Nga ai moment kuptova që Milani ishte vendi i duhur për mua”.

Gimenez ka lindur në Argjentinë, por është rritur në Meksikë, vendin që e konsideron si shtëpinë e tij: “Argjentina është vendi ku kam lindur dhe ku jeton familja ime, por në Meksikë kam kaluar të gjithë fëmijërinë dhe ndjej se jam më shumë meksikan. Gjithsesi, të dyja vendet i mbaj në zemër”.

Duke qenë se kaloi nga Feyenoord te Milani, Gimenez e pret me emocion përballjen mes dy skuadrave në Champions League: “Ishte emocionuese të shihja shortin. Në një mënyrë ose në një tjetër, unë do të përballesha me Milanin këtë sezon, qoftë si kundërshtar apo si pjesë e ekipit. Do të jetë një natë speciale për mua, pasi Feyenoord është një klub që më ka dhënë shumë dhe është momenti për t’i thënë lamtumirë siç duhet”.

Gimenez shpjegon prejardhjen e pseudonimit të tij: “Kur isha i vogël, isha më i madh në trup se bashkëmoshatarët e mi. Për këtë arsye, prindërit dhe familja më quanin ‘Bebote’. Një mik i babait tim, Tito Villa, e përdori këtë nofkë gjatë një ndeshjeje në televizion dhe nga ai moment të gjithë filluan të më thërrisnin kështu”.