Drejtuesit demokratë në Kongres paralajmëruan Presidentin Donald Trump këtë javë se do të shfrytëzojnë bisedimet e ardhshme mbi buxhetin federal si një mekanizëm për të ushtruar trysni, për të kundërshtuar ndryshimet e bëra nga administrata e rë në agjencitë qeveritare të Shteteteve të Bashkuara, si për shembull Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, agjencia kryesore që ofron ndihmë humanitare jashtë vendit.

Nga mbrojtja e pyjeve tropikale të Amazonës ; te kujdesi për refugjatët e Mianmarit dhe strehimi i ukrainasve që largohen nga lufta e nisur nga Rusia; mungesa e ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara po ndihet në mbarë botën. N

Në Uashington, këtë javë, ligjvënësit demokratë protestuan jashtë selisë tashmë të mbyllur të USAID-t dhe jashtë Kongresit.

“Ne do të kundërshtojmë shkeljet që ata kanë bërë lidhur me ndarjen e pushteteve. Shkeljen e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Ne nuk do heshtim. Do të ngrihemi. Do të reagojmë.

Do të kundërshtojmë”, tha senatori demokrat Cory Booker.

Më herët gjatë kësa jave, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar,USAID, u vu nën kontrollin e Sekretarit amerikan të Shtetit , Marco Rubio dhe thuajse të gjithë punonjësit e saj janë dërguar me leje të detyruar, pas një urdhëri ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për të pezulluar të gjithë ndihmën për vendet e huaja, ndërsa i nënshtrohet një procesi rishikimi.

“Po shohim se si njeriu më i fuqishëm në botë Donald J. Trump dhe njeriu më i pasur në botë Elon Musk po u heqin paratë dhe ushqimin njerëzve më të varfër në botë”, tha ligjvënësi demokrat Jonathan Jackson.

Ligjvënësit republikanë në Kongres thonë se zoti Trump po ushtron autoritetin e gjerë presidencial për të rivlerësuar agjencitë federale. Zoti Trump po e bën këtë përmes miliarderit Elon Musk të cilin e ka vënë në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, DOGE, që ka si synim shkurtimin e shpenzimeve federale.

Ndërkohë udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha të martën se ai mbështet përpjekjet për të eliminuar përvetësimet dhe abuzimet, por kritikoi shpejtësinë dhe fshehtësinë e procesit.

Demokratët janë zotuar të bllokojnë votimin e të emëruarve të kabinetit Trump dhe të përdorin si mjet trysnie votat e tyre për buxhetin për financimin e qeverisë, për të kundërshtuar ndryshimet në USAID.