59 objekte arsimore të përfunduara deri tani nga “EU4Schools”
Përmes një publikimi në rrjet social, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP në Shqipëri njofton se nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Riza Shera” në Manëz të Durrësit janë rikthyer në klasa të reja, më të forta dhe më moderne.
Kjo është bërë e mundur falë riparimit dhe përforcimit të plotë nga Programi “EU4Schools” / “BE për Shkollat”.
“Sot, rreth 130 fëmijë mësojnë në një mjedis të sigurt dhe frymëzues që i ndihmon të ëndërrojnë më shumë për të ardhmen. Në Bashkinë Durrës, deri tani janë përfunduar 14 shkolla nga 18 që janë në fokusin e rindërtimit dhe/apo riparimit nga EU4Schools në këtë bashki”, nënvizohet në publikimin e UNDP në Shqipëri.
Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Deri tani, në kuadër të këtij programi janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 nxënësve, fëmijëve dhe mësuesve.