Tiranë, 21 shkurt – Për herë ta parë Shqipëria merr pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, që do të mbahen në Torino nga data 7 deri më 16 mars 2025 më 6 sportistë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se pjesëmarrja e sportistëve tanë në këtë aktivitet ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përpjekjeve të përbashkëta për të promovuar gjithëpërfshirjen në sport dhe për të ndërtuar një sistem që u jep mundësi të gjithë sportistëve, pa dallim.
“Sporti nuk njeh kufizime dhe çdo njeri, pavarësisht sfidave, mund të arrijë majat përmes përkushtimit dhe pasionit. Kjo duket qartazi nga 6 sportistët tanë, 3 vajza dhe 3 djem, që do të garojnë në tre disiplina. Ata janë një shembull frymëzues dhe dua t’i falënderoj për përkushtimin e tyre. Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për trajnerët, federatën e skive për mbështetjen e tyre të pakursyer, si dhe për prindërit dhe partnerët financiarë që kanë bërë të mundur këtë rrugëtim.”
Ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në sport dhe angazhimin e qeverisë për të krijuar struktura të qëndrueshme për ta:

“Jam vërtet krenare që, me punën e përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe me bashkëpunimin fantastik me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe të gjitha federatat olimpike dhe jo olimpike, kemi arritur në një moment të rëndësishëm, miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit për ndryshimet në Ligjin e Sportit. Ky projektligj është tashmë i miratuar nga qeveria shqiptare dhe do të mundësojë krijimin e Komitetit Paralimpik Shqiptar dhe të Lëvizjes Olimpike Speciale. Këto struktura do të institucionalizohen, duke garantuar jo vetëm qëndrueshmëri, por mbi të gjitha një mbështetje më të madhe për personat me aftësi speciale përmes sportit”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.