Tjetër garë dhe tjetër paraqitje shumë e mirë e Lara Kolturit në Kupën e Botës së skive alpine. Pasi ka shkëlqyer me moshat, 18-vjeçarja që garon për Shqipërinë, tashmë ka një vend fiks mes të mirave të Botës edhe në radhët e të rriturave.

Suksesi më i fundit i Larës me ngjyrat kuqezi vjen nga etapa e radhës në Kupën e Botës, në sllallomin gjigant të zhvilluar të dje në Sestriere të Italisë. Një garë me shije të veçantë për Kolturin, pasi zhvillohej në pistën e shtëpisë. Kështu, Lara e mbylli në vendin e shtatë, duke treguar edhe një herë tjetër nivel të lartë në performancën e saj. Kolturi regjistroi kohën 1:07.69 në zbritjen e parë, për të përmirësuar në zbritjen e dytë me kohën 1:07.21, duke e ndalur kronometrin në kohën e përgjithshme në 2:14.90.

Rezultat ky që e klasifikon Larën në vendin e shtatë në këtë etapë, duke i shtuar edhe 36 pikë të tjera në renditje, ndërsa mbetet për tu theksuar mosha e re e skiatores tonë (datëlindja 2006), me diferencë të ndjeshme nga konkurrente. Për sa i përket podiumit të djeshëm në sllallomin gjigant në Sestriere, italiania Federika Brinjone fitoi medaljen e artë me kohën 2:12.69. Në vend të dytë u rendit Alice Robinson e Zelandës së re me kohën 2:13.09, ndërsa podiumi u plotësua nga norvegjezja Thea Louise Stjernesund, e cila meritoi medaljen e bronztë me rezultatin 2:14.26.

KLASIFIKIMI I PËRGJITSHMËM – Me 444 pikë të grumbulluara gjatë këtij sezoni, Lara Kolturi pozicionohet në vendin e tetë në klasifikimin e përgjithshëm të Kupës së Botës. Në vendin e parë në renditje klasifikohet Federika Brinjone me 899 pikë, zvicerania Lara Gut-Behrami pozicionohet e dyta me 729 pikë, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Zrinka Ljutic, e cila ndodhet në kuotën e 651 pikëve.

Gara e radhës do të jetë më 23 shkurt, sërish në Sestriere, por këtë herë në disiplinën e sllallomit. Kujtojmë se gjatë këtij sezoni, Kolturi ka arritur ta ngjisë dy herë në podium flamurin e Shqipërisë në etapat e Kupës së Botës, pasi ka siguruar dy vende të dyta.