Nëndrejtoresha e Harry Fultz është thirrur sot (6 shkurt 2025) në SPAK në lidhje me hetimet ndaj Belind Këlliçit i ka deklaruar se ka mbaruar gjimnazin te Harry Fultz, por në fakt ka mbaruar vetëm vitin e katërt, fakt ky i vërtetuar edhe përmes disa investigimeve të Shqiptarja.com.

Brikena Baxhaku hyri në SPAK në orën 11:00.

Dosja e Belind Këlliçit po hetohet nga prokurori i Posaçëm, Elvin Gogaj, i cili po kryen verifikimet pasi janë sekuestruar të gjithë dokumentacionet në lidhje me kallëzimin që ka bërë avokati Idajet Beqiri.

Ditën e sotme SPAK thirri nëndrejtoreshën e shkollës Harry Fulz në kuadër të këtij hetimi. Pas kallëzimit të Idajet Beqirit SPAK ka vijuar punën me sekuestrimin e të gjithë dokumentacioni i nevojshëm, marrjen në pyetje të vetë Belind Këlliçit dhe tani agjentët e Byrosë po marrin në pyetje po merret nëndrejtoresha e shkollës si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit” informoi sot gazetarja e Report TV, Keti Banushi.

Më 26 dhjetor 2024 Belind Këlliçi u mor në pyetje nga SPAK për mbi 2 orë duke dhënë llogari për falsifikim dokumentesh, përfshirë atë të diplomës së gjimnazit dhe mosdeklarim të pasurisë së bashkëjetueses. Në prill 2023, Shqiptarja.com publikoi një investigim me 4 pjesë ku faktohet falsifikimi i diplomës duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas edhe institucionet shqiptare.

Në kallëzimin e avokatit Idajet Beqirit, thuhet se Këlliçi nuk ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në institucionin “Harry Fultz” në Tiranë pra nuk ka diplomë të shkollës së mesme. Këlliçi akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të regjistruar studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bërë deklarime të rreme në formularët zyrtarë gjatë kandidimit për deputet, duke deklaruar se ka përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë.

Këlliçi hetohet nga SPAK për falsifikimit të rëndë në 2 raste, për diplomën e gjimnazit që nuk e ka dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit sikur e ka diplomën, kur kandidoi për deputet dhe më pas për kryetar bashkie të Tiranës. Ndërkohë burimet bënë me dije se gjatë marrjes në pyetje nga SPAK në dhjetor të vitit të kaluar Këlliçi ka dhënë llogari dhe për deklarimin e rremë të pasurisë, pasi nuk ka raportuar për pasurinë e bashkëjetueses së tij, Ana Shkreli, vajza e Artan Shkrelit. Për t’i shpëtuar hetimeve të SPAK, Këlliçi u distancua nga gruaja e tij duke thënë se nuk jetojnë së bashku dhe nuk është i vetmi politikan që e bën këtë distancim në dyert e SPAK.

Investigimi i Shqiptarja.com
Në prill 2023 shqiptarja.com publikoi një investigim me 4 pjesë ku sillte të faktuar me dokumente si ish kandidati për kryetar bashkie kishte falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas duke mashtruar edhe institucionet shqiptare.

Këtu janë investigimet e kryera nga Shqiptarja.com

INVESTIGIMI 1 : Belind Këlliçi nuk ka diplomë të shkollës së mesme, ja dokumentet që provojnë se si mashtroi universitetin amerikan dhe shtetin shqiptar
INVESTIGIMI 2 : Thellohet skandali, zbulohet dokumenti ku Belind Këlliçi, me dorën e tij, ka gënjyer duke deklaruar se ka ‘përfunduar shkollën e mesme’
INVESTIGIMI 3 ; Zbulohet gënjeshtra tjetër e Belind Këlliçit: Kam dëftesë pjekurie! Por shkolla ‘Harry Fultz’ e përgënjeshtron: Nuk është e vërtetë
INVESTIGIMI 4 : Skandali, Belind Këlliçi filloi punë Drejtor në 2009, por Ministria e Arsimit ia njohu diplomën në 2010! I shkaktoi dëm ekonomik shtetit shqiptar, duke përfituar dhjetra rroga pa diplomë