Është zbardhur dëshmia e ish-zv drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, në seancën paraprake në GJKKO, ku kjo e fundi shpalli moskompetencë dhe e dërgojë çështjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se gjatë seancës Breçani kundërshtoi akuzat e SPAK dhe deklaroi se: “nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova”.

Ai është shprehur se nuk ka pastruar para dhe se paratë për hidrocentralin ia ka marrë vëllait, që ka 25 vite me disa biznese.

“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, deklaroi Breçani.

Gjatë dëshmisë së tij, Breçani foli dhe për njohjen me një prej të pandehurve, Bujar Ajeti alias Gërmizi.

Ai ka treguar se me të njihet që fëmijë dhe më pas te RENEA. Breçani ka deklaruar se sipas informacioneve që kishte, Bujar Ajeti nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar.

“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA. Në dijeninë time nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi Breçani.