Nga Armat Matoshi

Mediat në Serbi janë vënë në delir pas emërimit të Kingsley Wilson si Zëvendës Sekretare për Shtyp në Departamentin amerikan të Mbrojtjes. Ky entuziazëm ka shpërthyer si pasojë e një deklarate të saj në vitin 2023, duke e parë si sinjal potencial të mbështetjes amerikane për politikën ekspasioniste serbe në lidhje me Kosovën.

Ajo ka tërhequr vëmendjen e mediave serbe pas një postimi në rrjetet sociale të bërë para dy vitesh, në në të cilin kundërshtonte politikën e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës dhe injoronte historinë e dhunshme të luftërave jugosllave.

Në një postim më 9 dhjetor 2023, ajo shkroi: “Ta bëjmë Kosovën sërish pjesë të Serbisë”, duke përforcuar perceptimin e shumë serbëve se ndoshta administrata e Donald Trumpit mund të jetë një aleate e mundshme e interesave të Serbisë.

Disa media në Beograd e kanë paraqitur këtë zhvillim si një sinjal se politika amerikane ndaj Kosovës mund të ndryshojë. Përmes titujve bombastikë, mediat serbe e kanë interpretuar një emërim administrativ si një ngjarje me peshë gjeopolitike, duke i dhënë një zyrtareje për shtyp një rol që nuk e ka as vetë sekretari i Mbrojtjes.