Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka vijuar takimin me strukturat e partisë të njësisë 1, 2, Pezë, Ndroq dhe Vaqarr.
Ai theksoi se Shqipëria duhet ta shfrytëzojë në maksimum këtë moment për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian.

“Ky është një moment historik në radhë të parë për ne që kemi një kapacitet drejtues në cilindo nivel, është një mision patriotik, që këtë dritare të hapur ta shfrytëzojmë për të anëtarësuar Shqipërinë në BE. Duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi të dhënë për Shqipërinë. Integrimi mbetet shansi yni i artë”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste janë ndërtuar 53 spitale. Kryeministri theksoi se me hyrjen në BE, Shqipëria do të përfitojë më shumë buxhet, i cili do shkojë në transformimin e të gjithë sektorëve.

“Kemi ndërtuar 53 spitale, janë shumë për mundësitë që kemi pasur. Janë 400 qendra shëndetësore. këto kanë qenë mundësitë dhe këto kanë qenë kushtet. BE ndahet në dy pjesë, një pjesë kontribuues, një pjesë përfitues. Ne kur të hyjmë në BE do jetë një moment i jashtëzakonshëm, për shkak se në atë moment nuk do kemi vetëm një buxhet, pra tonin, por edhe një ekstrabuxhet. Kjo do thotë shumë më tepër mundësi.”, tha ai.