“Tirana Training Center”, një qendër e ngritur pranë ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, shërben tashmë si katalizator në zhvillimin e industrisë kreative në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për shumë të rinj.
E përuruar në fillim të janarit 2025 kjo qendër ka filluar të jetësohet nga sipërmarrje të ndryshme që operojnë në industrinë e kinematografisë dhe prodhimeve audiovizuale në Shqipëri.
Një prej tyre është edhe “Catalyst Story Institute”, drejtuesit e së cilës, dy shtetas amerikanë ishin të ftuarit e radhës së kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim” .
Ndërsa kujton takimin e parë me drejtorin ekzekutiv të “Catalyst Story Institute”, Philip Gilpin Jr. dhe producenten Pamela Cederquist dhe nevojën e tyre për të pasur një ambient dinjitoz në Shqipëri, kryeministri u shpreh se ishte pikërisht koha kur sapo ishin mbyllur punimet për restaurimin e një objekti të vjetër ku kishte qenë studioja e zërit në Kinostudio, bashkë me disa hapësira të tjera.
Rama theksoi se ambicia ishte që të shndërrohej ajo pjesë në një rezidencë për artistët e rinj, për t’iu dhënë mundësinë e një hapësire dhe kryesisht për njerëzit e industrisë së filmit.
Kryeministri tregoi se fillimisht i erdhi një telefonatë për dy amerikanë që janë shumë të vendosur të zhvillojnë një agjendë të re për talentet e reja shqiptare, por edhe për ata që janë tashmë në këtë fushë dhe kanë nevojë për mbështetje.
“Pastaj, u takuam bashkë dhe më treguat dhe e kuptova që, për momentin, nevoja kryesore ishte vendi dhe ndodh që është pikërisht koha kur sapo janë mbyllur punimet për restaurimin e një objekti të vjetër ku ka qenë studioja e zërit në Kinostudio, plus disa hapësirave të tjera. Ne e përfytyruam dhe kishim ambicien ta shndërronim atë pjesë në një rezidencë për artistët e rinj, për t’iu dhënë mundësinë e një hapësire dhe kryesisht për njerëzit e industrisë së filmit, nga A-ja te Zh-ja, që do të thotë për të gjitha llojet e gjërave që kanë hallkat e zinxhirit të gjatë të prodhimit të filmit. Pra, ju thashë, “më lini të shoh, se, mesa di, kjo mund të jetë një rastësi e paparë”. Ata sa po bëheshin gati të shpallnin thirrjet për aplikim për rezidentë. Po ja që na ndritën yjet dhe e morët. Siç e tha edhe Philip-i, kjo ndodh vetëm në Shqipëri”, u shpreh ai.
“Tirana Training Center” ofron trajnime profesionale për deri në 400 studentë njëkohësisht, në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi dhe më shumë.
Ajo shërben si një urë lidhëse mes industrisë krijuese dhe tregut ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e profesionistëve nga HBO, Netflix, Warner Brothers dhe të tjerë.