Këngë e valle tradicionale, poezi dhe rrëfime që sjellin në vëmendje trashëgiminë kulturore çame janë prezantuar nga të rinjtë e grupeve artistike çame në Konispol dhe Sarandë mbrëmjen e 31 janarit.

Krenarë për rrënjët e tyre, këta të rinj sollën në vëmendje historinë, traditën dhe kulturën e Çamërisë.

“Jemi shumë krenarë që jemi çamë dhe e kemi të trashëguar brez pas brezi historinë, traditën dhe kulturën e Çamërisë si pjesë të shpirtit dhe kulturës sonë. Kjo është hera e parë që organizohet në Sarandë.” – theksoi Sindi Koqini, një ndër organizatoret e këtij aktiviteti.

Organizatorët e “Sofrës çame” synojnë që ky aktivitet të mos mbetet vetëm një ngjarje e veçuar, por të kthehet në një traditë të përvitshme që bashkon komunitetin dhe forcon lidhjet me të kaluarën, në çdo vend ku jetojnë pasardhësit e kësaj treve.