Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA do të ndërmarrë masa të fuqishme për Kanalin e Panamasë, duke pretenduar se Kina ka marrë kontrollin e tij në kundërshtim me marrëveshjet ekzistuese.
Gjatë një konference për gazetarët në Bazën e Përbashkët “Andreës”, Trump u shpreh: “Kanë shkelur marrëveshjen. Ose do ta marrim Kanalin e Panamasë, ose do të ndodhë diçka shumë e fuqishme”, duke lënë të kuptohet se administrata e tij po shqyrton mundësi të ndryshme për të rikthyer ndikimin amerikan në këtë rrugë ujore strategjike.
Deklarata e tij vjen ndërsa Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndodhet në Panama për bisedime diplomatike me presidentin panamez Jose Raul Mulino.
Ky i fundit ka kundërshtuar hapur pretendimet e Trump, duke deklaruar në një postim në platformën X më 20 janar se “Kanali i Panamasë është i Panamasë dhe ashtu do të qëndrojë”.
Ndërkohë, administrata e Mulinos ka nisur një auditim të një kompanie të lidhur me Kinën, e cila operon dy terminale rreth kanalit, për të vlerësuar ndikimin e Pekinit në infrastrukturën strategjike të vendit. Kompania në fjalë, Panama Ports Company, është një degë e konglomeratit të madh me bazë në Hong Kong, CK Hutchison Holdings, i cili menaxhon mbi 50 porte në 24 vende të ndryshme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë.
Trump ka ngritur vazhdimisht shqetësime për ndikimin e Kinës në Amerikën Qendrore dhe rolin e saj në ekonominë e Panamasë. Edhe pse nuk ka prova konkrete që Pekini kontrollon drejtpërdrejt Kanalin e Panamasë, dihet se Kina ka investime të mëdha në vend dhe se, në vitin 2017, qeveria panameze ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin, duke forcuar lidhjet me Pekinin.
Gjatë vizitës së tij në Panama, Sekretari i Shtetit Rubio ka paralajmëruar se SHBA do të marrë “masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj” në përputhje me traktatin e vitit 1977, i cili mundëson ndërhyrjen ushtarake amerikane në rast se funksionimi i kanalit rrezikohet nga një fuqi e huaj ose një konflikt i brendshëm.
Megjithatë, Presidenti Mulino e minimizoi mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nga SHBA, duke theksuar se qeveria panameze synon të forcojë partneritetin me Uashingtonin për investime të reja dhe projekte infrastrukturore.
Mbetet e paqartë se çfarë hapash do të ndërmarrë administrata Trump në lidhje me këtë çështje, por tensionet mes SHBA-së, Panamasë dhe Kinës duket se po përshkallëzohen, duke rritur shqetësimet për ndikimin global të Pekinit dhe rolin e Uashingtonit në rajon.