Keith Kellog, emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën dhe Rusinë, ka thënë që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ukraina të mbajë zgjedhjet deri në fund të vitit, sidomos nëse arrin marrëveshje armëpushimi me Rusinë gjatë muajve në vijim.

Sipas tij, zgjedhjet që janë pezulluar gjatë luftës “duhet të mbahen”.
“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje edhe në kohë lufte. Mendoj se është e rëndësishme të veprojnë ashtu”, ka thënë Kellogg për “Reuters”. “Është mirë për demokracinë. Ajo është e mira e demokracisë solide, kur keni më shumë se një person në garë”.

Presidenti dhe emisari kanë deklaruar se po punojnë në planin për të ndërmjetësuar marrëveshjen e armëpushimit në muajt e parë të administratës së re amerikane. Megjithatë, nuk kanë dhënë detaje për strategjinë që t’i jepet fund luftës së nisur në shkurt të 2022-s.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do t’i mbajë zgjedhjet këtë vit, nëse luftimet marrin fund, dhe nëse do të ketë garanci të forta për siguri, të cilat do t’ia pamundësojnë Rusisë rikthimin e armiqësive.

Ai ka thënë gjithashtu se do të ishte shumë e rrezikshme që Ukraina të përjashtohej nga bisedimet për paqen mes SHBA dhe Rusisë. “Kjo nuk është një ide e mirë, madje shumë e rrezikshme. Ukraina po vuan pasojat e një agresioni të pashembullt me mijëra jetë të humbura dhe dëme kolosale në infrastrukturë. Përjashtimi ynë do të ishte vërtetë i rrezikshëm”, ka deklaruar ai.