Tensionet në marrëdhënien midis Volodymyr Zelensky-t dhe Donald Trump duken më të larta se kurrë më parë.

24 orë pas gjuhës së ashpër me të cilën Zelensky e Trump iu drejtuan përmes rrjeteve sociale njëri-tjetrit, nga SHBA ka ardhur një ultimatum për liderin e Kievit.

Ishte këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, që i bëri thirrje Ukrainës të heqë dorë nga kritikat e saj ndaj SHBA-së, e cila po përpiqet të arrijë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht për t’i dhënë fund luftës.

“Ata duhet të ulin tonet dhe ta shohin mirë dhe ta nënshkruajnë këtë marrëveshje”, tha Waltz për Fox News, duke iu referuar një marrëveshjeje kritike që kalon mineralet e Ukrainës te Uashingtonin.

“Rezistenca nga Ukraina për marrëveshjen dhe kritika për mënyrën se si Trump po kryen bisedimet e paqes është thjesht e papranueshme”, theksoi Waltz, duke nënvizuar se duhet pasur parasysh gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, Waltz beson se të dyja palët mund të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe të pajtohen pasi sipas tij Trump “i tha gjithashtu se sa shumë e do popullin ukrainas”.

Ndër të tjera, Waltz mohoi që aleatët e SHBA dhe Ukraina nuk ishin duke u konsultuar.

“Ka një term për këtë në diplomaci. Quhet diplomacia e anijeve, sepse sjellja e të gjithëve në tryezë nuk ka funksionuar në të kaluarën”, tha ai.

Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelensky u takua sot me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për luftën në Ukrainë, Keith Kellogg, por konferenca e përbashkët për shtyp e dy zyrtarëve të lartë u anulua me kërkesë të Uashingtonit njoftoi zyra e Zelenskyt.

Përpara takimit me Kellogg dhe pas kritikave të ashpra të Presidentit Trump ndaj udhëheqësit të Ukrainës të mërkurën, ky i fundit tha se po përgatitej për të punuar me SHBA-të drejt “një paqeje të qëndrueshme” me Rusinë.

“Për ne është thelbësore që takimi (me Keith Kellogg) dhe bashkëpunimi ynë në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të jetë konstruktiv”, tha Zelensky në fjalimin e mbrëmjes drejtuar kombit.

“Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, paqja mund të jetë më e sigurt dhe ky është qëllimi ynë”, shtoi ai më tej.

Të mërkurën Trump dhe Zelensky shkëmbyen akuza në distancë. Presidenti amerikan e quajti Zelenskyn një “diktator të pazgjedhur” ndërsa udhëheqësi i Ukrainës akuzoi Trump se jeton në një “hapësirë dezinformimi” të ndikuar nga Rusia.

Ndërsa fati i luftës trevjeçare Rusi-Ukrainë mbetet i paqartë, Zelesky druhet se Trump po përpiqet t’i japë fund sulmit rus, me kushte më të favorshme për Moskën sesa Kievin.