Drejtuesi politik i PS, Erion Veliaj, ka komentuar partitë e reja politike në Shqipëri. Duke folur në podkastin “Majtas”, Veliaj nënvizoi se sot ka shumë forca të reja, por me ide shumë të vjetra. Ai solli si ilustrim qëndrimin e përfaqësuesve të këtyre partive në Këshillin Bashkiak të Tiranës që kanë refuzuar të votojnë për abonetë falas për studentët dhe pensionistët vetëm për inate politike.

“Sot shikoj shumë parti të reja, por me ide shumë të vjetra. Ndonjëherë të kap tundimi dhe them po mirë, po e keni mundësinë në Këshill Bashkiak ta votoni ndihmën ekonomike, ta votoni rindërtimin për tërmetin se është program i majtë, është social. Kur shoh që thonë që dhe ne jemi të majtë, them: Po është në nderin tuaj ta votoni abonenë e pensionistit, abonenë e studentit, konviktet që janë me gjysmë çmimi, ushqimin nëpër shkolla. Besoj që në politikë, ajo që thonë amerikanët është: “The record”. Pra arkiva jote e vendimeve. Ti me kaq pak vendimmarje sa ke nuk i mbështet këto, atëherë pse kërkon më shumë kur ti nuk je gati. Vetëm për inatin e politikës?! Kjo do të thotë kultura e inatit është shumë e vjetër, kështu që mund të jesh i ri në moshë, por për sa kohë i bën gjërat me mllef dhe inat nuk shkohet përpara”, theksoi Veliaj.