Në Frankfurt, ku bashkatdhetarët tanë po regjistrohen të marrin pjesë në zgjedhje, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla deklaroi se vota për Partinë Socialiste do t’i bëjë ata të ndjehen të barabartë me shtetasit gjermanë, pra qytetarë të BE-së.

Sipas Ballës, ishte kjo parti që e ka pasur gjithnjë përparësi votën e diasporës duke e kushtëzuar edhe reformën zgjedhore me këtë synim. “Kuvendi i dha zgjidhje një borxhi që u kishim bashkatdhetarëve. Partia Socialiste një kusht ka pasur për reformën, vetëm votën e diasporës, sepse diaspora ka një gjykim të paanshëm.”

Balla falënderoi Gjermaninë për mbështetjen që i ka dhënë gjithnjë Shqipërisë në rrugën drejt BE.

“Dhe një gjë duhet ta themi, ne i jemi shumë mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen e pakushtëzuar që i ka dhënë Shqipërisë ndër vite sa i përket anëtarësimit dhe integrimit në BE. Nëse ka një parti politike që mund dhe do ta përmbyllë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është PS. Unë dua që në katër vitet e ardhshme, secili prej jush këtu në Frankfurt ta shohë veten e vet të barabartë me shtetasin gjerman, pra ta shohë veten qytetar të BE-së.” Drejtuesi Politik i Diasporës në Partinë Socialiste kërkoi votën e bashkatdhetarëve në Frankfurt për ta bërë të pakthyeshëm progresin që është arritur deri tani.