Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim me bashkëatdhetarë që punojnë dhe jetojnë në Prato në rajonin e Toskanës në Itali, nga ku njoftoi se numri i kërkesave për regjistrim nga Italia për zgjedhjet e 11 majit ka arritur në 100,000.

Në fjalën e tij ministrit Balla deklaroi se Diaspora shqiptare do ti japë Partisë Socialiste fitoren më të madhe se asnjëherë tjetër.

Sipas Ballës, së shpejti do të nisë edhe programin “Mësues për Italinë”, program i cili ka në bazën e vet mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve të Italisë.

“Shumë faleminderit për këtë pjesëmarrje ndërsa sonte këtu plotësojmë 100 mijë kërkesa në platformën e ngritur nga KQZ që vijnë vetëm nga Italia.”

Balla theksoi rëndësinë e votës së diasporës për të siguruar jo vetëm një shumicë të thjeshtë prej 71 votash, por duke synuar për 84 vota për të mundësuar reforma të rëndësishme në mandatin e ardhshëm.

“E me kaq sa jemi sonte këtu do të kalojmë përtej 100 mijë dhe të konfirmojmë edhe në 10 ditët e ardhshme një numër të konsiderueshëm mbështetësish të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës nga Italia dhe e gjithë bota. Përmes votës tuaj t’i mundësojmë Shqipërisë sonë një shumicë jo vetëm absolute prej 71 votash por të kemi një shumicë të cilësuar në parlamentin e ardhshëm për të çuar përpara shumë reforma të rëndësishme që na presin në këtë mandat të katërt i cili është mandati i Shqipërisë në BE.”

Balla shpjegoi arsyet se përse duhet votuar Partia Socialiste, duke folur për zhvillimin e madh që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes së Edi Ramës, duke u shndërruar nga një imazh i rrënuar në një destinacion të njohur turistik në Evropë, brenda një dekade.

“Këtu mes italianë ku ju jetoni o do gjesh një italian që ka qenë në Shqipëri verën e kaluar apo që planifikon të shkojë këtë verë në Shqipëri, shtuar këtu edhe këta që zgjedhin Shqipërinë o për të bërë dhëmbët, o për të vënë flokët, o për të rregulluar hundën. Kush e imagjinonte disa vite më parë që kur vjen me avion nga Shqipëria për në Itali do gjesh pesë me kokën mbuluar se kanë vënë flokët, katër kanë rregulluar hundën edhe nja 20 të tjerë që kanë bërë dhëmbët.”

Ky zhvillim ka sjellë edhe shumë vende pune në Shqipëri, tha Balla, por Shqipëria nuk u bë destinacion turistik vetëm falë bukurisë natyrore.

“Sepse edhe në 2013-n edhe deti Adriatik dhe deti Jon aty ishin, apo jo. Vlora aty e kishte detin por kur shkoje në Vlorë nuk e shihje detin se ta kishin zënë.

(Dikush nga salla ndërhyn dhe thotë me zë të lartë: e kishte zënë Lul Basha.)

E kishte zënë edhe Luli po lëre mos i jep argument Saliut se do thotë pastaj ndonjë gjë tjetër: do i thotë e ka lënë Taulanti, pastaj. Por e vërteta është se me Edi Ramën filloi një kapitull i ri për Shqipërinë, transformimi. Jo vetëm Vlora, por çdo qytet i Shqipërisë. Takova dy veta këtu që kishin ardhur pak me turp se janë me PD-në thonë do vijmë se do japim votën Partisë Socialiste por nuk duam të na shohin ata të fisit tonë atje. Rri i qetë se edhe fisi yt është bërë me PS-në. Ndonjëri nga ju që thotë se do votojë ndonjë nga këta të rinjtë, dëgjoni Taulantin. Ju votë për të shkuar kot nuk keni!”

Sipas Ballës, vota e diasporës këtë vit është historike jo vetëm se votohet por për herë të parë do kemi në kuvend djem e vajza përfaqësues të diasporës.

“PS është e vetmja që ka çelur një platformë përmes së cilës edhe bashkatdhetarët mund të bëhen pjesë e ekipit tonë kombëtar përfaqësues. Dhe ne kemi pasur një proces shumë të hapur. Vetëm në platformën “Deputeti që duam” janë 600 burra e gra, djem e vajza profesionistë të shkëlqyer të cilët kanë kandiduar në këtë proces. Ne nuk bëjmë një proces të mbyllur ku të konkurrojnë vetëm anëtarët e PS. Një pjesë e tyre do jenë pjesë e ekipit. Por dhe ata që nuk kanë fituar do të jenë pjesë e qeverisjes sonë në të gjitha nivelet pasi të marrim mandatin e katërt.”

Balla tha se meritë e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është edhe marrëveshja e pensioneve nga e cila përfitojnë 500 mijë shqiptarë në Itali gjë që përbën një argument të rëndësishëm edhe në negociata me Greqinë.

Ndërsa në fund u ndal te një pikë e retorikës së tij në diasporë të cilën e ka më për zemër, gjuha shqipe që duhet të mësojnë fëmijët që kanë të paktën një prind shqiptar.

“Kjo qeveri e ka filluar këtë përpjekje me mësuesit e parë në Greqi në kuadër të Mësues për Diasporën por ju garantoj se nga shtatori do të fillojmë edhe me programin Mësues për Italinë.”

“Bëjeni votën tuaj kampion dhe votoni Partinë Socialiste.” ishte thirrja e Ballës në fund të takimit me shqiptarë në Prato.