Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka sulmuar kryeministrin e Kosovës dy ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Gjatë një interviste në Televizionin Publik të Serbisë, ai pretendon se Albin Kurti ka mbushur armët dhe dëshiron të qëllojë mbi serbët, madje thotë se këtë gjë tashmë e ka bërë.

“Problemi është se një pjesë e mirë e botës perëndimore i mbyllin sytë, ai është fëmija i tyre, çfarëdo që të bëjë, ata do ta ledhatojnë atë. Ai mund të ketë vetëm një problem me administratën e re amerikane. Pse? Sepse ajo nuk i përket më as Klintonit, as Bushit dhe administrata e re nuk bën jetën e viteve ’90.

Kjo mund të jetë shpresa jonë, gjithashtu edhe për ruajtjen e Republikës Srpska. Jam shumë i shqetësuar për procedimin kundër Milorad Dodik. Shpresoj se të gjithë së bashku do të mund të mendojmë me kujdes për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiç.

Presidenti serb konfirmoi se shumë shpejt do të bisedojë me homologun e tij nga Rusia, Vladimir Putin, lidhur me sanksionet amerikane ndaj industrisë së naftës të vendit të tij.

“Tani Amerika po ndryshon dhe kjo është shpresa se ne mund të arrijmë në fund të luftës. Kemi marrë një përgjigje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, por nuk është një përgjigje e qartë. Unë nuk mund të flas kur nuk e di se çfarë kërkojnë amerikanët.

Ne duhet të ruajmë vendin tonë dhe nuk dua të prishim marrëdhëniet e mira me rusët. Ne paguajmë shumë më pak për naftën për shkak të marrëveshjes. Do të gjejmë një zgjidhje”, tha Vuçiç.

Vuçiç pretendoi se një nga arsyet pse Serbia sulmohet është se nga gjithë Europa është vendi i vetëm që nuk ka sanksionuar Rusinë.

“Po ta kishim bërë do të ishim tradhëtarët më të këqij në botë”, u shpreh ai duke kërkuar marrëdhënie të mira edhe me Shtetet e Bashkuara. Presidenti serb nënvizoi më tej se Amerika po ndryshon me ardhjen e Donald Trump në pushtet. “Kjo Amerikë është shumë më e mirë se ajo që ishte më parë”, përfundon Vuçiç.