Kreu i qeverisë Edi Rama i është përgjigjur edhe këtë të premte një tjetër komentuesi në rrjetet sociale, teksa duket se e ka kthyer si një rutinë komunikimin në këtë formë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

“Xhan unë vërtetë nuk e kam ulur qiellin në tokë, por Tiranën nga varri e kam ngritur ama, dhe këtë nuk e heq dot askush”, shprehet ai ndër të tjera teksa i përgjigjet një komentueseje e cila i thotë se nuk e ka ai meritën për ndryshimet e Tiranës dhe se ka bërë vetëm punën që i takon.
“Ja dhe Enisa sesi reagon për videokujtesën e postuar sot për Tiranën që kush nuk e ka parë bën mirë ta shohë. Nuk më kanë vënë njerëzit të dridhja zinxhirin, por ka një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjesh përpara se të thuash që ‘ti ke 0 meritë se ke bërë vetëm detyrën’. Po pse atëherë u desh që të vija unë? Aty ishin të tjerët apo jo? Edhe ata për detyrë ishin vënë. Tek detyra dallohen edhe udhëheqësit.

Unë vërtetë nuk e kam ulur qiellin në tokë, Por Tiranën nga varri e kam ngritur dhe këtë nuk ma heq dot. Pse kur Tiranën e mori me dhunë këneta, ajo ngeci dhe as sahati nuk punonte? Apo ngaqë të gjithë jemi njësoj. Jo pra jo, nuk jemi njësoj, ndaj Shqipëria nuk është Kandahar dhe nuk jemi hiçgjëkundi njësoj që kur unë dhe PS kemi marrë besimin e popullit për ta ngritur në majë”, tha Rama.