Nëse Donald Trump tërheq mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Evropa e vetme nuk do të jetë në gjendje të mbushë boshllëkun, paralajmëron Volodymyr Zelensky.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët por unë them gjithmonë jo”, tha presidenti ukrainas gjatë një interviste me Guardian. “Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, theksoi ai.
Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, por skeptikët kanë frikë se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të përfshijë detyrimin e Ukrainës që të dorëzohet ndaj kërkesave të presidenti rus, Vladimir Putinit. Zelensky tha se është gati për të negociuar, por do që Ukraina ta bëjë këtë nga një “pozitë force”, ndërsa shtoi se do t’u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh në përpjekje për të tërhequr Trumpin.
“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të kanë mundësinë ta rinovojnë atë, me bizneset e tyre, së bashku me bizneset ukrainase”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë javë, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, i cili vitin e kaluar, kur ishte senator, refuzoi ta takonte Zelenskyn, me arsyetimin se nuk i intereson çfarë ndodh me Ukrainën.
Zelensky, po ashtu planifikon të takojë anëtarë të tjerë të ekipit të Trump, si dhe senatorë me ndikim në Mynih, por ende nuk ka një datë për ta takuar vetë Trumpin, raporton Guardian.
“Ne shpresojmë që ekipet tona të caktojnë një datë dhe një plan takimesh në SHBA; sapo të merret vesh ne jemi gati, unë jam gati”, tha Zelensky.