Gjermanët votojnë sot (23 shkurt) për të zgjedhur një parlament të ri, që do të përcaktojë se si do të udhëhiqet vendi në katër vjetët e ardhshëm. Ekonomia më e madhe e Evropës është vendi më i populluar i BE-së – me 27 vende anëtare gjithsej – dhe një nga anëtarët kryesorë të NATO-s. Gjithashtu, është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me armë, pas Shteteve të Bashkuara. Qeveria e ardhshme e Gjermanisë do të jetë në qendër të përgjigjes së Evropës ndaj administratës së re të SHBA-së, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump.
Çfarë ndodh ditën e zgjedhjeve?
Vendvotimet u hapen në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 18:00. Gjermanët mund të votojnë edhe me postë, por fletëvotimet e tyre duhet të mbërrijnë deri në kohën kur qendrat e votimit të mbyllen në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që të numërohen.
Menjëherë pas përfundimit të votimit do të dalin exit poll-et e para dhe do të nisë numërimi i votave. Tabloja e përgjithshme e rezultateve duhet të jetë e qartë shumë shpejt.Rezultati përfundimtar zyrtar, ndërkaq, pritet të hënën herët.
Kush janë kandidatët për kancelarin e ardhshëm?
Për kancelar të ardhshëm të Gjermanisë konkurrojnë katër kandidatë: kancelari aktual, Olaf Scholz, nga Social-Demokratët e qendrës së majtë; Friedrich Merz, kandidat i partisë kryesore konservatore, Unioni Demokristian; zëvendëskancelari aktual, Robert Habeck, nga Të Gjelbrit, dhe Alice Ëeidel e partisë së ekstremit të djathtë, Aleternativa për Gjermaninë (AfD).
Sondazhet parazgjedhore e nxjerrin Unionin e Merzit në krye, me rreth 30 për qind të votave, ndërsa AfD-në të dytën me rreth 20 për qind. Social-Demokratët e Scholzit dhe Të Gjelbrit e Habeckut janë më mbrapa.