Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u nënshkrua sot nga përfaqësuesit e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, Kodi i Etikës për Fushatat Digjitale në Shqipëri.

Kodi i etikës për fushatat digjitale në Shqipëri do të shërbejë si një marrëveshje e përbashkët për të nxitur standardet etike, për të luftuar dezinformimin dhe keqinformimin në zgjedhje, si dhe për të siguruar një fushë loje të barabartë në sferën digjitale.

Ky kod etike është hartuar në bashkëpunim me Institutin Demokratik Amerikan (NDI), Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA) dhe Qendrën e Sundimit të Ligjit në Universitetin e Helsinkit, sipas modelit të zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, si dhe nismave të tjera të ngjashme në Holandë, apo në Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi falënderoi subjektet zgjedhore të cilat e mirëpritën këtë iniciativë dhe shtoi se ky Kod synon të nxisë partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 11 maj 2025 për të zhvilluar një garë të përshtatshme, të ndershme dhe të drejtë.

Shpresojmë që partitë dhe kandidatët garues të tregojnë vetëpërmbajtje gjatë fushatës zgjedhore dhe të zhvillojnë një garë me standarde etike.

Drejtuesja e Qendrës për Sundimin e Ligjit, Universiteti i Helsinkit, Tuija Brax tha se pavarësisht se ky Kod Etike është një instrument vullnetar, partitë politike kanë shansin t’u tregojnë votuesve të tyre se janë të angazhuara seriozisht dhe mund t’i besojnë ato.

Blerta Hoxha, përfaqësuese e International IDEA në Shqipëri vlerësoi angazhimin e të gjithë palëve në arritjen e këtij angazhimi dhe i përgëzoi partitë, pasi sipas saj marrja përsipër e këtij angazhimi proaktiv për zhvillimin e një fushate digjitale më etike, i bashkon me partitë politike simotra në Parlamentin Evropian.

Drejtuesja e Institutit Demokratik Amerikan, Ana Kovacevic Kadovic u shpreh se nënshkrimi i Kodit Etikës është reflektimi i asaj çfarë mund të ndodhë kur institucionet, partitë politike dhe partnerët bëhen bashkë për një qëllim të përbashkët, që në këtë rast është ta bëjmë me etike fushatën zgjedhore në një mjedis kaotik siç është bota digjitale.

Nënshkrimi i këtij kodi nga partitë politike simbolizon angazhimin e tyre për të zhvilluar një fushate digjitale etike dhe me integritet, duke kontribuar në një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent.