ESPN-ja bënte një analizë të plotë të pesë pikave të dobëta, ose me potencial dobësimi, në të cilat Liverpuli po mendon të përforcohet në sezonin e ardhshëm. Skuadra dëshironte të garonte në të gjitha drejtimet këtë vit, por fakti që është në garë vetëm në Premier Ligë një arsye e ka: Liverpuli ka nevojë të përforcohet.

Llogaria ka një pikë nistore: Salahu, Van Dijku dhe Arnoldi do të jenë pa kontrata në verë. Më i mundshmi për t’u larguar është Trent Arnoldi, i cili ka një dëshirë madhore, të jetë i pari mbrojtës i djathtë që fiton ‘’Topin e Artë’’. Ai e di se për ta bërë këtë duhet të bashkohet me shokun e tij të afërt, Xhud Belingamin te Reali i Madridit. Van Dijku është 33-vjeçar. Tifozët e kuq shpresojnë që të tre të qëndrojnë, të paktën sa për të shoqëruar në rritjen e ndonjë prurjeje të re. Mirëpo për këtë skenar ka shanse vetëm për holandezin dhe egjiptianin. E megjithatë asgjë e sigurt. Të dy janë në kurbë rënëse të karrierës së tyre.

Dy pika të tjera që Liverpuli ka emergjencë përforcimi janë ‘’pozicioni 6’’, parambrojtja dhe qendra e sulmit. Gravenbeku është ndër tre lojtarët më të përdorur në sasi minutash nga Arne Sloti, por çdo herë që atij i duhet të pushojë skuadra humb shumë nga balanca e vetë. Qendra e sulmit, siç ‘’Zëri’’ ka njoftuar dy ditë më parë, ka pakënaqësi me numrin e golave të Darvin Nunjezit. Për qendrën e sulmit Liverpuli do të parapëlqente Aleksandër Isakun, por ai është i pamundur dhe gati-gati i blinduar nga milionerët e Njukasëll Junajtidit dhe sytë janë drejtuar kah Turqia, te i huazuari nga Napoli, Viktor Ozmiheni. Si numër 6, pasi dështoi në çastet e fundit transferimi i Zubimendit dhe pasi u rrëzuan shanset që, drejtuesit e Liverpulit, të hidhëruar nga ky dështim paramarrëveshjeje të rikthehen sërish te ai, pikëpyetjet mbi këtë rol shtohen. Deri më tani nuk ka një emër konktret, mirëpo për tre pozicione të mesfushës, për të konkurruar në të gjitha garat, Arne Sloti ka vetëm Gravenbek (Gravenbech), Zobolai (Szobolai), Kurtis Xhons (Curtis Jones) dhe Mekalister (McAlister).

Si zëvendësi i Arnoldit sytë janë nga Frimpongu i Leverkusenit, si qendër, zëvendësuese ose shoqëruese me Van Dijkun, mendohet se do të luftohet për t’u arritur kontrata me njerin nga këta tre lojtarë, Arahujon e Barcelonës, Mark Guehinë ose Niko Shlotebekun e Dortmundit. Në krahun e majtë të mbrojtjes parapëlqehet Milosh Kekezi, pasi zëvendësuesit e Robertsonit nuk qëndrojnë dot në lartësinë e tij dhe ky i fundit, pas 7 sezonesh në nivele shumë të larta, duket se ka filluar pjerrësinë e formës fizike; hungarezi i Burnermuth, që do të bashkohej me Zobolajn, bashkëpatriotin e tij, shihet sj zgjidhja ideale.