Ka një boshllëk që përndjek shumë prej nesh, të cilin nuk e shpjegojmë dot me fjalë. Nuk është fjala për dhimbje, as ndonjë mungesë konkrete, por një lloj ndjesie zbrazëtie e heshtur që të ndjek edhe në ditët kur gjithçka duket në rregull. Ndjesia se nuk jemi të bukur sa duhet. Jo aq të suksesshëm. Jo aq të realizuar. Një ndjesi, në pamje të parë intime dhe personale, por që në fakt është edhe sociale — e stimuluar, e ushqyer dhe e mirëmbajtur nga struktura që kanë interes të na e mbjellin boshllëkun.
Në episodin e radhës të Apostrof, flasim me Dr. Neli Demin për këtë boshllëk të brendshëm që nuk lind vetvetiu. Ai shpesh prodhohet. Shoqëria moderne, përmes medias, tregut dhe kulturës së performancës, na përcjell me ngulm idenë se jemi gjithmonë të pamjaftueshëm. Dhe sapo na bind që nuk jemi të plotë, na ofron menjëherë “zgjidhjen”: një produkt, një përvojë, një udhëzim, një mënyrë për të qenë më mirë, më të lumtur, më të suksesshëm, më të shëndetshëm.
“Kjo lloj pamjaftueshmërie komercializohet në të njëjtën kohë me objektin që do na bëjë të ndihemi të mjaftueshëm. Është një lloj komercializimi i emocioneve: na afrohen vazhdimisht gjëra që supozohet se do na bëjnë të lumtur, të gëzuar, të shëndetshëm, do na japin emocione të forta — por çdo gjë që vjen nga jashtë e humbet efektin shumë shpejt. Emocionet pozitive apo gjendja pozitive është e qëndrueshme atëherë kur prodhohet nga vetë.”