Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka do të jetë ndërtuesi i “VOID Tower” në Tiranë. Korporata e Investimeve Shqiptare e ka shpallur fitues të garës për të ndërtuar kullat. Duka, është pronar me 100 % të aksioneve të firmës “AIBA”, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e dy kullave.
Në garë ishin vetëm dy kompani: ‘AIBA Company sha’ dhe Shoqëria “Progeen” shpk. Por ankandi, me diferencë të vogël u fitua nga AIBA me vlerë të ofruar 46,1%, përkundrejt 45% që ofronte “Progeen”.
Ndërtimi do të bëhet në ish-godinën historike të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku sipas projektit do të bëhen dy kulla të larta dhe shteti do të marrë përqindje nga ky investim. Sipas dokumenteve, privati, në këtë rast firma e Dukës do të ndërtojë plot 87 mijë m2, me një kosto plot 110 milionë euro. Kompania ka për detyrë që të zbatojë projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett”.
ÇFARË ËSHTË VOID TOWER?
Void Tower është një godinë e cila ndërtohet në Tiranë, në bulevardin “Zhan D’Ark”. Për këtë projekt AIC vë në dispozicion truallin, projekt-idenë arkitekturore të godinave të reja, lejen e zhvillimit dhe ndërmjetësimin me autoritetet publike deri në përfundim të zhvillimit të projektit. Ndërsa partneri privati vë në dispozicion mjetet financiare, kapacitet e zhvillimit të ndërtimit, angazhimin e plotësimit të kritereve ligjore, teknike dhe financiare të kërkuara. Për lehtësi të punimeve AIC i kërkon partnerit privat të ndërtojë kullën por edhe godinat publike, shpenzimet e të cilës mbulohen nga AIC si pronar trualli.
PROJEKTI
Pjesa e pronarit të truallit (AIC) në godinën e re për zhvillim nuk mund të jetë më pak se 45% e m2 total. Në pjesën e saj të pronës në këto objekte, AIC e përdor për të realizuar vepra me interes publik. Rikrijimi i hapësirave të reja për institucionet e pronës duke ju shtuar hapësirave ekzistuese mbi 35,000 m² për të akomoduar 22 institucione dhe mbi 1100 punonjës, që përfitohen nga krijimi i godinave të reja dhe përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës dhe hapësirave të punës.