Stefania Nobile, vajza e Wanna Marchi-t, e njohur si “mbretëresha e telemarketingut” dhe Davide Lacerenza, ish-partneri i saj dhe pronari i “Gintoneria” janë vendosur në pranga. Arrestimi i tyre ka ndodhur për shkak se Prokuroria ka prova se brenda lokalit të tyre në Milano drejtonin një rrjet prostitucioni dhe shpërndanin kokainë. Mediat italiane kanë zbuluar më shumë detaje lidhur me rrjetin e punësuar, mënyrën sesi “punonin” dhe klientët që kishin. Por po ashtu është zbuluar se paratë “pastroheshin” në Shqipëri.

Nga hetimet është mësuar se Stefania Nobile, së bashku me nënën e saj, udhëtonin shpesh në Shqipëri. Nuk vinin për turizëm por për “punë”. Ajo hapte dhe shiste ambiente në vendin tonë për të justifikuar paratë e paligjshme që bënin nga lokali i tyre në Milano. Siaps mediave italiane, në vitin 2018, ajo inauguroi tre biznese, dy bare dhe një restorant. Më pas bleu edhe biznese të tjera, i rinovoi dhe më pas i shiti dhe kështu hapi një kompani prodhimi televiziv.

“Shqipëria është e ardhmja jonë,”-thoshte ajo, madje bleu dhe një shtëpi në vendin tonë. Ende nuk ka një shifër të qartë, por prokurorët e Milanos dyshojnë se ajo ka sjellë 80 milionë euro në Shqipëri. Paratë që fitonte ilegalisht i riinvestonte dhe i justifikonte në Shqipëri. Herën e fundit që erdhi në vendin tonë ajo ishte në timonin e një Lamborghini Ursus (edhe pse e kishte marrë me qira).

Por kush ishin klientët “VIP” të Davide Lacerenza dhe Stefania Nobile?

Hetuesit flasin për një “kryetar i pasur bashkie”, “njerëz nga Dubai”, një “zhvillues të pasurive të patundshme”. Në rastet kur ata shkonin në lokal shpenzonin edhe 40 mijë euro vetëm me shampanjë. Kur tregonin statusin e tyre, Davide Lacerenza nuk ngurronte që t’u ofronte “paketën e plotë” me eskorta dhe drogë. Megjithatë emra nuk janë zbuluar pavarësisht se personat e lartpërmendur me profesione kanë kryer shkelje ligji.

Si u zbulua SKEMA?

Davide Lacerenza ishte personi që u përgjya. Guardia di Finanza vuri re disa lëvizje të dyshimta në llogarinë e tij rrjedhëse (përfshirë 640 mijë euro të transferuara në tre vite vetëm për “shampanjë”). Sado i suksesshëm të ketë qenë lokali i tij, kjo shifër ishte tejet e dyshimtë për rojtarët e ligjit. Pasi i vendosën telefonin nën përgjim, zbuluan se ai fliste me partnerë biznesi dhe i mburrej me klientët e pasur që kishte dhe mënyrën sesi i “respektonte” në dhomat private. Madje zbuluan edhe “miqësinë e ngushtë” të Lacerenzës me një pjesëtar të Guardia di Finanza, i cili merrte trajtim special duke i ofruar edhe prostituta falas.

Nëse për klientët kishte gjithmonë shishe shumë të shtrenjta vere, kokainë dhe vajza gjithmonë në dispozicion; vetë pronari i Gintonerias krenohet se kishte të paktën “dy” shoqërues, madje një prej tyre ishte e mitur.