Ka ardhur momenti. Pas përfundimit të pushimit për ndeshjet e kombëtareve, Premier League rifillon aty ku e kishte lënë, pasi u dha tifozëve një shije të futbollit anglez me FA Cup.
Kampionati vazhdon me javën e 30-të, dhe nesër në mbrëmje Arsenali do të hapë siparin kundër Fulhamit, por ka një lajm të rëndësishëm nga trajneri spanjoll.
Lajmi lidhet me rikthimin e një prej simboleve të Arsenalit pas dëmtimit në tendinën e gjurit:
“Bukayo Saka është gati për të zbritur në fushë. Të gjitha masat e nevojshme janë marrë, tani mbetet vetëm çështja e momentit të duhur për ta aktivizuar.
Ai po kërkon të luajë sa më parë, sepse e dëshiron me gjithë shpirt. Kemi respektuar të gjitha afatet dhe kemi bërë gjithçka të nevojshme, ai është gati”, deklaroi Arteta.
Trajneri e lavdëroi ‘yllin’ e tij, një armë thelbësore për sulmin e ‘Gunners’:
“Ai është një aset i pabesueshëm për ne. E dimë ndikimin e tij në skuadër dhe sa i rëndësishëm është roli dhe kontributi i tij për suksesin tonë.
Është fantastike që e kemi sërish me ne. Energjia që ai sjell është e jashtëzakonshme. I ka munguar ajo që e do më shumë në jetë – të jetë me ekipin, të luajë, të stërvitet dhe të konkurrojë në nivelet më të larta.
Fakti që po rikthehet në momentin më vendimtar të sezonit është një shtysë e madhe si për të ashtu edhe për ekipin.
Është e rëndësishme të mos fokusohemi në faktin që ka qenë jashtë për tre muaj, sepse në realitet ai ka luajtur vazhdimisht për 48 muaj. Dhe tre muaj në 48 janë vetëm një përqindje e vogël”.