Bashkëdrejtuesit të koalicionit “Nisma-Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj nuk i del e keqja me kryeministrin Edi Rama.

Deklarata e pak ditëve më parë nga ana e shefit të qeverisë mbi kandidimin e babait të Lapajt në listën e mbyllur të Beratit, ka bërë këtë të fundit të reagojë sërish përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale.

Aty Lapaj shprehet se Rama i përket grupit të udhëheqësve që e trashëgojnë partinë dhe ndryshe nga koalicioni “Nisma-Shqipëria bëhet” që do t’i djegë emrat e vendosur në listën e mbyllur, kryeministri do t’i fusë ata në Parlament.

“Zoti Rama, ortaku i Zotit Berisha, që të dy bashkë i mbyllën listat qenka shqetësuar shumë përse ne kemi vendosur prindërit në listat e mbyllura, për t’i djegur ato, e me qëllim që ne të garojmë realisht për të shkuar në Parlament. Rama është mësuar me partinë e vetë, që ta trashëgojë pushtetin nga babai te fëmijët dhe nga nëna te fëmijët. Këtë po bëjnë edhe në këto zgjedhje”, thotë Lapaj.

Më tej ai u bën thirrje qytetarëve që t’i hedhin një sy listave të mbyllura të PS në çdo qark dhe do të gjejnë aty bijtë e ish-ligjvënësve dhe zyrtarëve të majtë.

“Ju ftoj të futeni në listat e mbyllura që ka bërë Rama dhe të verifikoni fëmijët e kujt janë ata që janë në listat e mbyllura. Shikoni se ndoshta do të gjeni aty fëmijët e ish-deputetëve apo zyrtarëve të lartë të PS. Sigurisht që ata pushtetin e trashëgojnë se ashtu e kanë stil. Ne duam ta shpartallojmë sistemin e tyre që të rinjtë në këtë vend të kenë mundësi të kenë garë, pavarësisht fëmijët e kujt janë”, shprehet Lapaj më tej.

Kujtojmë se kryeministri Rama teksa i referohej Adriatik Lapajt, pak ditë më parë në një takim tha: “Parti të re me gjithë kushërinjtë dhe me babanë në krye të listës, mund të bëjë çdokush, por edhe të bërtasë: jemi rinia! Edhe të shajë mbarë e mbrap, njësoj si pleqëria.”